Osmani: Nga Gjermania presim ndihmë edhe në këtë fazë finale për integrimet tona evropiane

Maqedonia

Osmani: Nga Gjermania presim ndihmë edhe në këtë fazë finale për integrimet tona evropiane

Më: 5 tetor 2018 Në ora: 14:14
Pamje nga takimi

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, mbajti takim me Torsten Fraj, deputet në Bundestagun Gjerman, i cili për vizitë qëndron në Republikën e Maqedonisë me ftesën e fondacionit Konrad Adenauer.

Në takim bashkëbiseduesit iu referuan ngjarjeve të reja si dhe ngjarjeve në vijim lidhur me progresin e vendit në procesin e integrimit evropian, në veçanti në kontekstin e rezultateve të referendumit dhe perspektivës euro- atlantike të vendit.

“Morëm mesazh të qartë nga qytetarët deri tek elita politike që të marrin përgjegjësinë dhe ti sigurojnë vendit ardhmëri euro- atlantike” – potencoi Osmani, duke potencuar Kuvendin si institucion ku duhet të vazhdojë implementimi i Marrëveshjes së Prespës, realizimit të së cilit duhet ti kyçen të gjithë faktorët politik.

“Implementimi i kësaj marrëveshjeje do të lëviz në mënyrë paralele me proceset e implementimit të reformave dhe detyrimeve të definuar në konkludimet e Samiteve të qershorit, si dhe realizimi i përshtatshëm i skriningut shpjegues me Komisionin Evropian që filloi javën e kaluar” – theksoi Osmani, duke potencuar përkushtimin e Sekretariatit për Çështje Evropiane, për përgatitjen e plotë dhe të duhur në përgjithësi të strukturës negociuese për negociatat në qershor të vitit të ardhshëm.

Osmani shprehu mirënjohje në emër të Qeverisë për mbështetjen e përgjithshme të Gjermanisë për Republikën e Maqedonisë, duke shprehur shpresë që edhe në këtë fazë finale, së bashku do ti tejkalojmë sfidat e fundit për rrumbullakimin e perspektivës euro- atlantike të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat