Osmani: PSP ka gabuar te “Pacienti”, Zaev: Osmani mbetet zëvendëskryeministër

Maqedonia

Osmani: PSP ka gabuar te “Pacienti”, Zaev: Osmani mbetet zëvendëskryeministër

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 19:51
Bujar Osmani

Një ditë pas hapjes së 6 lëndëve të reja të PSP-së, njëri nga të dyshuarit për rastin “Pacienti”, Bujar Osmani, është shprehur i gatshëm të bashkëpunoj me specialen. Zëvendëskryeministri për çështje Evropiane tha se ende nuk është marr në pyetje nga prokurorët të cilët po hetojnë për keqpërdorimet e mundshme të pozitës zyrtare dhe autorizimeve. Sipas akuzës ka pasur parregullsi në procedurat e furnizimeve publike gjatë vitit 2010 për kryerjen e punëve ndërtimore në disa institucione publike shëndetësore. Hetimi përfshin 15 persona, në mesin e të cilëve edhe ish-ministrin e shëndetësisë, Osmanin, i cili tha se ka insistuar për hapjen e këtij rasti për të konstatuar faktet se nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore.

“Ka qenë mirë që të konsultohem para se të del emri im, nuk kam qenë i thirrur që të jap mendimin tim, por shpresoj që ky hetim të kryhet sa më shpejtë që të verifikohen faktet. Ndoshta nga shumë hetime që bën Prokuroria Speciale mund të bëjnë edhe gabime të tilla. Kompania, e cila ka fituar është 20 milion denarë më e lirë se kompania e dytë, kurse tregohet se ka qenë më e shtrenjtë. Mund të ndodhin gabime të tilla dhe nuk mund të paragjykoj se janë bërë qëllimisht”, u shpreh Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për çështje Evropiane.

Kryeministri Zoran Zaev tha se për rastet e reja të PSP-së është informuar nga mediat, por nuk sheh ndonjë ndikim në procedurat parlamentare për hapjen e ndryshimeve kushtetuese. Ai tha se Osmani nuk mund të jep dorëheqje nga posti i zëvendëskryeministrit përderisa nuk vërtetohet fajësia e tij.

“Ai dha deklaratë, por gjithsesi qëndrimi im mbetet i njëjtë se askush nuk është fajtor deri sa e njëjta nuk vërtetohet me vendim të plotfuqishëm gjyqësorë. Ky është vetëm hetim, do të dua t’i dijë detajet, do të ndjek me vëmendje procesin dhe me kohë do të ndërmarr masat e mia, nëse diçka ndërlidhet me dinjitetin e qeverisë”, tha Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë.

Sipas PSP-së në 6 rastet e reja buxheti i shtetit u dëmtua me rreth 80 milionë euro. Veç në rastin “Dhurata” u shkaktua dëm 33 milionë euro, në të cilin të dyshuar janë ish-ministrat, Zoran Stavrevski dhe Mile Janakiveski. Ata akuzohen se kanë keqpërdorur pozitat zyrtar, duke e bërë furnizues të paligjshëm një kompani ruse.

Në rastin “Propaganda”, në mesin e 9 personave të përfshirë në hetime është edhe Nikolla Gruevski, të cilët dyshohen se kanë paguar 30 milionë euro, nga të cilat përqindja më e madhe ka përfunduar tek mediat, të cilët sipas PPS-së, e kanë mbështetur politikën dhe aktivitetet e OBRM-PDUKM-së.

Për lëndën “Dizajn”, ekziston dyshimi se ish-Ministri i transportit, Mile Janakievski, dhe krerët e Komisionit për Furnizimet Publike, kanë përfituar nga favorizimi i firmës “Jutong” nga Kina, duke nënshkruar një kontrate të paligjshme për blerjen e 202 autobusëve dykatësh me dëm 5 milionë euro.

Në rastin “Harmonia” nën hetim janë ish-kryeministri Gruevski, ish-ministri Janakievski dhe ish-kryetari i komunës së Karposhit, Stevçe Jakimovski. Të dyshuarit akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë vitit 2012, duke përfituar pronë në vlerë prej 1,45 milion eurove, ku dyshohen për keq-përdorimin e pozitave zyrtar si bashkë kryerës për Universitetin Privat Ndërkombëtar të Ballkanit në Shkup.

Në lëndën “Stacionet Bazë” të PSP-së, sipas dëshmive gjatë vitit 2011, i dyshuari, Zharko Lukovski, drejtor i atëhershëm ekzekutiv i T-Mobile Maqedoni, duke përdorur pozitën dhe autorizimet e tij, Shoqatës Aksionare “Betton” Shkup i ka mundësuar të përfitojë pronë prej 3,5 milionë denarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat