Në mungesë të epilogut për emrin, Maqedonia rrezikon ndarjen

Maqedonia

Në mungesë të epilogut për emrin, Maqedonia rrezikon ndarjen

Më: 13 tetor 2018 Në ora: 14:32
Maqedoni

Ndonëse nuk arriti të marrë 51 përqind të votave të qytetarëve, referendumi për emrin e Maqedonisë po shihet i suksesshëm për faktin se nga 36.79 përqind sa votuan, 91.37 përqind votuan në favor të ndryshimit të emrit.

Tash i mbetet Kuvendit të vendosë nëse do të miratojë rezultatin e referendumit për emrin. E për këtë nevojiten 2/3 e votave në Kuvend.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muamet Hoxha është shprehur optimist se edhe deputetët e opozitës do t’i përgjigjen pozitivisht propozim-vendimit për ndryshim të Kushtetutës së Republikës të Maqedonisë, të cilat kjo e fundit qysh të hënën i ka nisur për miratim Parlamentit.

Ai ka thënë se presin që krejt kjo të finalizohet me hapje të dyerve të NATO-s dhe BE-së për Republikën e Maqedonisë.

“Për shkak se është e nevojshme 2/3 e votave në Kuvend, presim se deputetët e opozitës do të respektojnë vullnetin e qytetarëve dhe do të japin mbështetje për këto ndryshime kushtetuese me të cilat, siç theksova, tërësisht hapet rruga për anëtarësimin e plot në NATO dhe fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Të gjitha hulumtimet e deritanishme tregojnë se numër i konsiderueshëm I qytetarëve të Maqedonisë: maqedonas, shqiptarë dhe pjesëtarët e bashkësive tjera etnike që jetojnë në Republikën e Maqedonisë janë për integrimin e vendit në NATO dhe në BE dhe se  alternativë tjetër nuk ka”, ka thënë Hoxha.

Sipas tij, shqiptarët dhe të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni janë promotor të përhershëm të realizimit të qëllimit strategjik për integrimin e tërësishëm të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

E në rast se një gjë e tillë nuk nodhë, analistë të sigurisë paralajmërojnë për një mori rreziqesh që i kanosen shtetit të Maqedonisë në rast të mosmiratimit të rezultateve të referendumit nga Kuvendi.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi ka treguar konkretisht për rreziqet me të cilat përballet Republika e Maqedonisë në rast se nuk miratohen rezultatet e referendumit të 30 shtatorit.

Ibishi: Nëse nuk bëhen ndryshimet Kushtetuese, Maqedonia rrezikon ndarjen

"Ata duhet të vetdijësohen, edhe Maqedonia nëse dojnë ta kenë shtetin e vet maqedon, të kenë mbështetjen e NATO-s, përndryshe do të vijë në rrezik nga një copëtim i shtetit të tyre. Do të thotë ata nuk e besojnë këtë rrezik rreth ndarjes të saj në pjesë, edhe në aspektet etnike por edhe aspekte tjera të pretendimeve të shteteve që kufizohen me Maqedoninë”, ka thënë ai.

Për çështjen e emrit të Maqedonisë ka folur edhe profesori universitar Bashkim Selmani, i cili ka thënë se pret që deputetë të VNMRO-s, të vendosin në mënyrë të pavarur dhe jo me qëndrime politike. Ndryshe thotë se vendi do të kaplohet nga pasiguria.

Ai ka folur edhe për paralajmërimin e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, i cili ditë më parë ka deklaruar se nëse nuk respektohet vendimi i qytetarëve, Maqedonia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Selmani: Presidenti maqedonas mund të paraqes problem edhe për Qeverinë e re 

“Edhe sikur të kalojnë zgjedhjet, do të ketë vështirësi nga ana e rolit dhe funksionit të presidentit të shtetit, i cili është një president i papërgjegjshëm, është një nacionalist i pabazuar në fakte dhe argumente dhe i njëjti mund të mos i jap mandatin Qeverisë apo Kuvendit, gjë që do ta fuste në amulli pjesën e funksionimit të shtetit dhe do të rrezikojë edhe sigurinë në aspektin juridik dhe politik dhe kjo ëshët faza e cila do të jetë më e rrezikshme...”, tha ai.

Sipas tij, çështja mund të shkojë aq larg sa venditë vihet nën administrimin e një UNMIK-u të ri. Krejt kjo sipas Selmanit, pasi që ka gjasa në hapje të konfliktit shqiptaro-maqedonas, të nxitur edhe nga vendet fqinje.

Selmani: Maqedonia mund të ngërthehet nga NATO dhe Bullgaria

“Nëse analizohet mënyra juridike dhe nëse nuk do të marrë epilog përfundimtar çështja e Republikës të Maqedonisë, atëherë do të futet në një fazë të re... e cila mund të jetë një amulli shumë e rrezikshme për territorin brenda Republikës të Maqedonisë, e cila mund të rezultojë me një ndërhyrje nga NATO, sepse do të jetë e detyruar NATO të ndërhyjë, siç ndërhyri në Kosovë, sepse pritet trazira të mëdha të ndodhin. Në këtë rast, NATO do të ngërthejë territorin e Republikës të Maqedonisë, që mund të jetë nën administrimin e një UNMIKU të ri, dhe pjesën e shqiptarëve ta administrojë NATO dhe pjesën tjetër ta administrojë Bullgaria”, u shpreh Selmani.

Ndryshe, më 30 shtator Maqedonia votoi në referendum për Marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, ku nga 36.79 përqind sa votuan, 91.37 përqind votuan në favor të ndryshimit të emrit. Ndërsa tash pritet që fjalën e fundit ta ketë Kuvendi i Republikës të Maqedonisë, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat