Ndryshimet kushtetuese, debat “reprizë” në Kuvend

Maqedonia

Ndryshimet kushtetuese, debat “reprizë” në Kuvend

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 16:56
Kuvendi i Maqedonisë

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, pretendon se nuk ka qëllim për të ndikuar ndaj institucioneve të drejtësisë me qëllim zbatimin e amnistisë për të akuzuarit e 27 prillit.

Megjithatë, i pari i ekzekutivit, për të arritur konsensus me oponentin politik ritheksoi se është i nevojshëm pajtimi dhe falja.

Zaev i cili pas referendumit kishte deklaruar se nuk ka për çfarë të takohet me kreun e opozitës, sot ndryshoi mendje. Ai u shpreh i gatshëm të takojë Mickoskin për të tejkaluar dallimet ndaj ndryshimeve kushtetuese.

“Pozitivisht e pranoj propozimin që të ulemi me Mickoskin dhe të bisedojmë. Gjithmonë kam qenë për dialog dhe qëllimet e mia gjithnjë janë për bisedime. Unë jam i besimit se zgjidhjet vijnë përmes bisedimeve dhe për këtë i drejtohem në këtë mënyrë Kuvendit dje dhe sot. Shumë ndarje na kanë kapluar në Maqedoni. Absolutisht nuk më shkon në mendje të ndikoj në institucione, gjykata dhe prokurori, por të gjithë e dimë se duhet të qetësohemi dhe të falemi. Nga këtu fillojnë dallimet në shtet dhe gjithandej në nivel vertikal”, tha Zaev.

Deputetët e VMRO-së kërkojnë takim mes Zaevit e Mickovskit, për uljen e presionit që sipas tyre po i bëhet me qëllim mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese.

“Mos guxoni që deputetët t’i detyroni për atë që nuk duhet. Uluni me Mickoskin, bisedoni dhe sillni vendim të guximshëm. Ne jemi betuar këtu dhe çdo bindje tjetër nuk çon në drejtim të mirë. Vetëm kaq dua të ju them”, tha Kërsto Jovanovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka kërkuar nga kryeparlamentari Xhaferi që t’i mundësojë fjalim para deputetëve. Arkiva e Kuvendit ka kthyer mbrapsht kërkesën e Mickoskit pasi që e njëjta nuk i është adresuar kreut të Kuvendit, por personalisht Talat Xhaferit. Opozita një mundësi të tillë e kërkoi edhe përmes fjalimeve procedurale.

I pari i ligjvënësit porositi opozitën që me emër t’i drejtohen në vendlindjen e tij, ndërsa në Kuvend t’i drejtohen në cilësinë e kryetarit. Xhaferi duke u thirrur në Rregullore, theksoi se Mickoskit nuk mund t’i lejohet fjalimi para deputetëve.

Deri në mbylljen e diskutimit mbi nevojën e ndryshimeve Kushtetuese në përputhje me marrëveshjen e Prespës kanë mbetur edhe 8 ditë. Shumica pret që deri të premten të shteret debati dhe propozimi të vihet në votim ku për miratimin e nevojës nevojiten 2/3 e votave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat