Dikush mbledh ushqime në kontejnerë, të tjerët i hedhin

Maqedonia

Dikush mbledh ushqime në kontejnerë, të tjerët i hedhin

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 22:27
Foto ilustrim

Elvis Demirov, është një nga mijëra persona të tjerë në Maqedoni që e kanë gjendjen e rënduar ekonomike deri në atë shkallë sa mezi arrijnë të sigurojnë kafshatën e gojës.

Lufta për mbijetesë e shoqëron Elvisin për 365 ditë të vitit, barra për të siguruar ushqim për veten dhe familjen mbetet si një strajcë e përhershme mbi shpatullat e tij, pasi gjetja e ushqimit të pastër nëpër kontenjerë është vakti i vetëm që vendoset në tryezën e kësaj familjeje.

“Çfarë do të bësh, kur për shembull nuk kemi çfarë të punojmë, detyrohemi të shkojmë tek shportat e mbeturinave. Çfarë të ketë, nëse ka ushqim të pastër të paketuar do ta marrim për në shtëpi, që t’ua dërgojmë fëmijëve që të hanë. Prej kësaj jetojmë, nuk kemi prej ku të marrim për të mbijetuar, me punë jemi dobët, nuk kemi ku të mbështetemi dhe e kemi patjetër të jetojmë nga ndonjë copë buke nga këtu”, tha Elvis Demirov.

Elvisi është baba i katër fëmijëve, ai zgjohet herët në mëngjes dhe del në kërkim të ndonjë copë buke apo veshmbathje nëpër kontenjerë për t’i dërguar ato në shtëpi. Për t’i siguruar nevojat elementare për jetë, Elvisit i duhet që një gjë të tillë ta përsëris të paktën dy, apo tre herë në ditë.

“T’ju them të drejtën, zgjohem në mëngjes rreth orës 7 e gjysmë ose 8, e bëj një rreth, shkoj në shtëpi të pushoj dhe dal prap, dy tre herë në ditë dal, duhet patjetër të bësh diçka që të mos rrish në shtëpi.Në këtë rajon jam, sillem në këtë rajon”, tha Demirov.

Objektivi i kamerës tonë kapi vetëm Elvisin, por brengën se do ngelin të uritur e ndajnë mbi 450 mijë banorë të Maqedonisë, të cilët thuajse për çdo ditë ballafaqohen me mungesën e ushqimit. Derisa këta të fundit vuajnë mungesën e ushqimit, nga ana tjetër mbi 5 mijë tonë ushqime përfundojnë në mbeturina.

Pikërisht për të rritur vetëdijen e qytetarëve, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, që nga 16 tetori i vitit 1981 organizon Ditën Ndërkombëtare të Ushqimit, që ka për qëllim sensibilizimin e politikbërësve mbi rëndësinë e ushqimit dhe rolin e tij në shëndetin dhe mirëqenien e individit dhe zhvillimin e mbarë kombeve. Çdo vit tema është e ndryshme, por gjithnjë ka për qëllim zhdukjen e urisë dhe varfërisë.

Dita ndërkombëtare organizohet edhe në Maqedoni, gjegjësisht në 33 lokacione ku nën moton “Ushqe 10.000” realizohet aksioni për mbledhje të ushqimeve me qëllim të furnizimit të familjeve në nevojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat