Bujar Osmani: Sot është moment historik për Maqedoninë

Maqedonia

Bujar Osmani: Sot është moment historik për Maqedoninë

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 23:34
Bujar Osmani

Me 80 vota ‘pro’, Kuvendi i Maqedonisë miratoi nismën për ndryshimet kushtetuese, që i hap rrugën ndryshimit të emrit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, e po ashtu edhe rrugën drejt integrimit euroatlantik të fqinjit tonë.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, në një lidhje telefonike për Klan Kosovën ka thënë se ky është një moment shumë i rëndësishëm për shtetin e Maqedonisë.

“Sot është moment historik për Maqedoninë. Akoma jemi në emocionet e këtij vendimi që sapo mori Parlamenti me 80 vota apo 2/3-at e votave për të hapur paketën e ndryshimeve kushtetuese që është faza e parë në kuadër të implementimit të marrëveshjes me Greqinë”.

Osmani ka treguar se cilët janë hapat e radhës, pas votimit të ndryshimeve kushtetuese, dhe sa kohë pritet të zgjasë gjithë procedura.

“Kanë mbetur edhe dy faza të tjera, edhe dy votime, por tashmë procesi është i pakthyeshëm pasi pasi vullneti i shumicës në Parlamenti u dëshmua”.

“Tani në kuadër të afateve duhet t’i përgatisim amendamentet kushtetuese dhe t’i dorëzojmë në Parlament. Votimi i radhës, ai i dyti, mund të kalojë me 60 vota, me shumicë të thjeshtë.
“Në ndërkohë, votimi i tretë, që mund të ndodhë pas 100 ditëve, kërkon sërish 2/3-at e votave pra 80 vota që do të jetë sfiduese por mendoj se nga ajo që u dëshmua sot në Parlament do të pëkrahet edhe atëherë kur do të përfundojë procesi i implementimit të marrëveshjes me Greqinë”.

Sipas zëvendëskryeministrit të Maqedonisë, gjithë ky proces pritet të përfundojë në fund të këtij viti, ose më së largu, në fillim të vitit të ardhshëm.

“Afatet janë parashikuar në Kushtetutë, andaj ne presim që në fund të vitit ose në fillim të janarit të përfundojë ky proces meqë sot Parlamenti aprovoi hapjen e Kushtetutës, dinamika tjetër do të jetë më e lehtë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat