Reformimi i administratës, kusht për integrimin e Maqedonisë

Maqedonia

Reformimi i administratës, kusht për integrimin e Maqedonisë

Më: 29 tetor 2018 Në ora: 11:19
Ilustrim

Reformimi administratës është një nga kriteret që duhet të plotësojë Maqedonia për procesin e integrimit të vendit.

Ekspertët e këtij lëmi theksojnë nevojën e më shumë investimeve në profesionalizimin e administratës, aplikimin e sistemit meritor dhe jo punësimit të militantëve politikë në këtë sektor.

Sipas tyre, kjo mund të kontribuojë në realizimin e reformave në administratë, të cilat Maqedonia është e shtrënguar t’i realizojë në prag të fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimit Evropian.

Këto komente pasojnë shpalosjen e planit të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës për realizimin e reformave në këtë sektor, me ç’rast parashihet ulja e numrit të institucioneve, si dhe të disa drejtorive, në mënyrë që të ulen shpenzimet në administratën publike.

Damjan Mancevski, i cili drejton dikasterin e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, është zotuar se nuk do të largohen punonjësit administrativë, por ata do të zhvendosen në institucione përkatëse, me qëllim që të rritet cilësia e shërbimit për qytetarët.

Ekspertët në lëmin e administratës publike thonë se reformat në administratë, me gjithë shpalosjen e shumë planeve aksionare nga ana e Qeverisë, që nga pavarësia e shtetit mbeten në vendnumëro për shkak të ndërhyrjes së politikës gjatë punësimit.

Argëtim Saliu, profesor universitar, thotë se administratës në Maqedoni i duhen investime në profesionalizimin e kuadrit në funksion të ngritjes së cilësisë së shërbimeve.

“Duhet të vendoset theksi në trajnimin e nëpunësve në administratë pasi ajo shquhet për nga mosha e shtyrë. Duhet të organizohen më shumë trajnime, kryesisht për aftësimin e përdorimit të teknologjisë, për ta pasur më të lehtë qytetarët dhe kompanitë e biznesit qasjen në shërbimet administrative, pasi bota e zhvilluar pothuajse i ka të digjitalizuar të gjitha shërbimet e administratës”, vlerëson Saliu.

Nga ana tjetër, Temellko Ristevki, ligjërues i Administratës Publike në Universitetin FON të Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë se ligjet që rregullojnë punën e administratës, janë të mira, por ata nuk zbatohen, sipas tij, mjafton si hap i parë të zbatohet sistemi meritor.

“Mendoj se urgjentisht duhet të zbatohet sistemi meritor dhe në hierarkinë administrative, administratorët të vendosen në saje të përgatitjes së tyre profesionale, përkatësisht kualitete, me të cilat disponojnë dhe u qasen angazhimeve që marrin përsipër. Administrata do të jetë efikase vetëm në atë rast kur njerëzit e duhur vendosen në vendin e duhur”, thotë Ristevski.

Administrata publike është kritikuar në vazhdimësi nga ana e faktorit ndërkombëtar pikërisht për shkak të ndërhyrjes së politikës gjatë punësimeve në këtë sektor si dhe numrit të madh të të punësuarve.

Administrata e Maqedonisë numëron rreth 130 mijë persona në 1,299 institucione të shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat