Maqedoni: Ndryshimet kushtetuese, nesër nisin shqyrtimet e amendamenteve

Maqedonia

Maqedoni: Ndryshimet kushtetuese, nesër nisin shqyrtimet e amendamenteve

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 16:36
Kuvendi i Maqedonisë

Katër amendamentet e propozuar nga Qeveria me qëllim ndryshimin e Kushtetutës në përputhje me marrëveshjen e Prespës, do t’i nënshtrohen debatit në Komisionin për Çështje Kushtetuese.

Prezencën në komision e ka konfirmuar VMRO-DPMNE-ja. Kreu i Kuvendit, duke u thirrur në Rregulloren e ligjvënësit thekson se opozita i ka duart e lidhura për të bërë obstruksione në proces.

“Afatet janë të përkufizuara dhe të rregulluara me rregullore dhe çfarëdo qoftë obstruksioni të pretendohet nuk do të mund të llogaritet, për faktin se edhe po të duan që me procedurale të shkojnë deri në ditën e tretë, ashtu do të mbaron debati dhe ditën e tretë do të votohet. Kjo për faktin që për çdo amendament bëhet debat veçmas dhe në ditën e tretë mbaron”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Mbi debatin publik, Kuvendi akoma nuk ka diskutuar. Xhaferi shton se si fillim duhet përfundojë shqyrtimi i draft-amendamenteve dhe më pas të njëjtat të vendosen në debat publik.

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në emision 200 në Alsat hodhi poshtë akuzat se kërkesa e subjektit tij për zyrtarizimin e gjuhës shqipe është politikë ditore.

Ai theksoi se amendamentet e Qeverisë synojnë edhe ndryshimin e amendamentit 5 të kushtetutës, gjë që sipas tij mundëson që pa pasur nevojë për ndërhyrje me amendamente shtesë, organi akuzës të pranojë rekomandimet e opozitës shqiptare.

|Në amendamentin 5 që ka zëvendësuar nenin 7 të Kushtetutës a përmendet fjala Republika e Maqedonisë? Po. Duhet zëvendësuar me Republika Veriore e Maqedonisë. Në këtë moment hapet debat për këtë amendament dhe këtu ne do të ndërhyjmë me amendamentet tona në mënyrë që, shpresojmë që të mos kemi nevojë për ndërhyrje, sepse ky 30 ditshi është periudha për debat mbi projekt amendamentet e Qeverisë dhe Qeveria të pranojë sugjerimet tona në mënyrë që pastaj në fazën tjetër vetëm të votohen amendamentet që të mos kemi nevojë ne si Aleancë ose ai tjetri si subjekt politik të parashtrojmë amendamente por kjo të jetë një punë e përbashkët e të gjithë faktorit politik të pandarë shqiptar ose maqedonas”, u shpreh Sela.

Ndryshimet synojnë përshtatjen e Kushtetutës në përputhje me marrëveshjen e Prespës, si: aty ku shkruan Republika e Maqedonisë shtohet “së Veriut”, forcohen vendimet e KAÇKM-së në Preambulë dhe inkuadrohet Marrëveshja e Ohrit, definohet pacenueshmëria dhe sovraniteti i Maqedonisë si dhe obligimet e shtetit për kujdesin ndaj diasporës. Më 1 dhjetor draft-amendamentet do të gjinden para deputetëve në seancë plenare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat