Zaev: Në preambulë do të përmendet Marrëveshja e Ohrit, për rëndësinë historike që ka për Maqedoninë - Bota Sot
Zaev: Në preambulë do të përmendet Marrëveshja e Ohrit, për rëndësinë historike që ka për Maqedoninë

Maqedonia

Zaev: Në preambulë do të përmendet Marrëveshja e Ohrit, për rëndësinë historike që ka për Maqedoninë

Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 16:26
Zoran Zaev

Kuvendi Antifashist për Çlirimin Kombëtar të Maqedonisë (KAÇKM, apo ASNOM) nuk fshihet nga Preambula e Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë. Ai do të përmendet dy herë. Në Preambulë do të shtohen edhe fjalët Marrëveshja Kornizë e Ohrit me të cilën do të konfirmohet rëndësia historike për vendin tonë, theksoi kryeministri Zoran Zaev në sqarimin e draft-amendamenteve të Kushtetutës në seancën e sotme të Komisionit për çështje kushtetuese.

Ai i sqaroi katër draft-amendamentet që i propozoi Qeveria, ndërsa për të cilat tha se meritojnë mbështetje nga të gjithë deputetët në Kuvend në emër të integrimeve në BE dhe realitetit të ri politik.

“Deputetët, me mbështetjen e nismës, do të tregojnë se janë për ardhmëri evropiane të Maqedonisë”, tha Zaev para Komisionit kushtetues.

Seanca e Komisionit për çështje kushtetuese mund të zgjatë 12 ditë. Seancën plenare kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Komisionit, e caktoi për më 1 dhjetor.

Kuvendi më 19 tetor me 80 vota “pro” mori vendim për fillimin e ndryshimeve kushtetuese, sipas Marrëveshjes së Prespës. Tetë deputetë të VMRO-DPMNE-së opozitare dhe koalicionit votuan “pro” ndryshimeve kushtetuese.

Përcaktimi i draft amendamenteve të Kushtetutës nga ana e Kuvendit është faza e dytë e procedurës për ndryshim të Kushtetutës. Draft amendamentet përcaktohen me shumicë të thjeshtë ose 61 vota, ndërsa faza e tretë dhe e fundit është miratimi i amendamenteve për çka nevojitet shumicë prej dy të tretave ose mbështetje nga më së paku 80 deputetë.

Rregullorja e Kuvendit parasheh që nga momenti i dorëzimit të draft-amendamenteve në Kuvend e deri në mbajtjen e seancës plenare për miratimin e tyre duhet të kalojnë të paktën 30 ditë.

Shqyrtimi i secilit draft-amendament ndaras mund të zgjasë më së paku nga tre ditë dhe në Komisionin dhe në seancën plenare, por mund të përfundojë edhe më shpejt se afatet maksimale.

Kuvendi me të paktën 61 vota duhet t’i përcaktojë draft-amendamentet, pas çka ata shkojnë në debat publik, kohëzgjatjen e të cilit e përcakton Parlamenti.

Pas kësaj faze të ndërmjetme, Qeveria duhet t’i përgatisë propozim-amendamentet dhe t’i dorëzojë deri te Kuvendi. Që nga momenti i dorëzimit të propozim-amendamenteve në Kuvend e deri në mbajtjen e seancës plenare për miratimin e tyre duhet të kalojnë të paktën 30 ditë.

Propozim amendamentet duhet të shqyrtohen nga Komisioni ligjvënës-juridik dhe Komisioni për çështje kushtetuese, ndërsa në fund edhe seancë plenare.

Vendimi final për miratimin e amendamenteve sillet me shumicë prej dy të tretave ose të paktën 80 vota. Për amendamentin e Preambulës të Kushtetutës përveç shumicës prej dy të tretave, nevojitet edhe shumica e Badenterit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera