Bankierët kërkojnë shtyrjen e kamatave

Maqedonia

Bankierët kërkojnë shtyrjen e kamatave

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 15:50
Foto ilustrim

Shoqata e Bankave të Maqedonisë kërkon nga Qeveria që reformën e njoftuar tatimore për të ardhurat e interesit, nga depozitat e qytetarëve, ta shtyjë deri në hyrjen e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Bankierët besojnë se vetëm kështu do të ruhet prirja pozitive e kursimit, por gjithashtu do të sigurohet kapital i freskët për ekonominë.

Nga sektori bankar thonë se një reformë e tillë kërkon një debat më të gjerë dhe në letrën dërguar mediave, ata thanë se do të kërkojnë takime në Ministrinë e Financave për të paraqitur qëndrimet e tyre në detaje.

“Sa i përket tatimit progresiv, ne vlerësojmë se nevojitet një debat më i gjerë për shkak të avancimit të propozimit duke përfshirë përvoja pozitive nga vendet ku tashmë është zbatuar”, thonë nga Shoqata e Bankave të Maqedonisë.

Reforma e tatimit parashikon që me 15% të tatohet interesi për depozitat e kursimeve të afatizuara prej shumës 15,000 denarë. Kjo do të thotë se në rast se një familje në një bankë ka një depozitë kursimi prej 30 mijë eurosh me një normë mesatare prej 1% në vit, kjo familje do të kishte interes ose fitim prej 300 eurove në vit.

Sipas tatimit progresiv, për fitime deri në 250 euro nuk do të llogaritet tatimi, ndërsa 50 eurot e mbetur do të tatohen me 15 për qind. Këtë reformë qeveria planifikon ta fillojë në vitin 2020.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat