Tatimi progresiv, kritika për mungesë të transparencës

Maqedonia

Tatimi progresiv, kritika për mungesë të transparencës

Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 21:27
Foto ilustrim

Reagimet e biznesmenëve dhe ekspertëve pas paralajmërimit të pushtetit për ndryshimin e politikës tatimore në pjesën më të madhe janë për mungesën e transparencës, por edhe për dilemën, për çfarë do të shpenzohen paratë e mbledhura. Ekspertët nuk presin që me paratë që do të transferohen në arkën shtetërore në bazë të tatimit progresiv do të bëhen çudi, shprehet profesori universitar Marjan Petreski, por thotë se është mirë ajo që paralajmërohet se fondet do të përdoren për uljen e varfërisë.

“Është normale që qytetarët të interesohen se çfarë do të ndodhë me këto para, përkatësisht ata nuk duan të shohin episod të ri të keqpërdorimit të këtyre mjeteve. Dhe prandaj mendoj se është veçanërisht e rëndësishme që ato para të lidhen drejtpërdrejt me financimin e të ardhurave të garantuara minimale dhe pensionit social. Në aspektin konceptual mendoj se kjo është në rregull”, theksoi profesori universitar Marjan Petreski.

Një javë më parë kur qeveria njoftoi se ishte gati të braktiste tatimin e sheshtë dhe të vendoste tatim progresiv, njoftoi edhe se me këtë masë çdo vit do të arkëtohen rreth 25 milionë euro, dhe paratë do të përdoreshin për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve publike. Por dy ditë më vonë, ministri përgjegjës për administratën Damjan Mançevski, pas përfundimit të një takimi me sindikatat, tha se vitin tjetër planifikon tua rrisë pagat administratorëve.

“Unë mund të njoftoj se në buxhetin e vitit të ardhshëm ka fonde për rritjen e pagave në administratë dhe në ditët në vijim do të dalim me të dhëna konkrete”, u shpreh ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.

Shumica e ekspertëve gjatë javës së kaluar dolën me qëndrime se reforma e propozuar për tatimin progresiv nuk do të japë rezultate. Ekspertët kanë frikë se qytetarët më të arsimuar të vendit do të goditen, tatimin progresiv do ta ndjejnë ata që fitojnë duke shitur shërbimet në tregjet e huaja. Nga ana tjetër, vendimi për rritjen e pagave në sektorin publik do ta shtojë edhe më zemërimin te këta njerëz. Ndërkohë, më shumë se një mijë persona të punësuar sipas Marrëveshjes Kornizë rinë në shtëpi dhe marrin rroga shtetërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat