Osmani: Maqedonia do të ketë sukses ta realizojë agjendën 2025 të Komisionit Evropian

Maqedonia

Osmani: Maqedonia do të ketë sukses ta realizojë agjendën 2025 të Komisionit Evropian

Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 15:56
Osmani në Bruksel në takim me Eurokomisionerin Han

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, mbajti takim pune me Eurokomisionerin për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johanes Han, ku brifoi për progresin e vendit në fushën e implementimit të detyrimeve nga procesi i integrimeve evropiane.

“Plani 18 tani më u miratua në Qeveri dhe implementimi i tij, tani për tani, po zhvillohet pa pengesa.  Pres që në kohë të adresohen të gjitha fushat kyçe dhe të krijohen kushte për konfirmimin e vendimit për fillimin e negociatave” – deklaroi Osmani në takim. Duke e theksuar progresin në implementimin e reformave në fushat kyçe, në veçanti pas zhbllokimit të Kuvendit me dritën e parë jeshile për ndryshime kushtetuese.

“Kuvendi dha dritën e parë jeshile për ndryshimet kushtetuese në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, me të cilin, jo vetëm që u hap rruga për implementimin e detyrimeve të Marrëveshjes, por edhe u krijuan kushte edhe për përshpejtimin e procesit reformues të vendit në përputhje me konkluzat e Këshillit të Evropës të qershorit” – theksoi Osmani, duke potencuar edhe progresin e marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Greqisë, që avancohen me një rritëm të shpejtë.

“Personalisht mora pjesë, së bashku me kolegun nga Greqia, Jorgos Katrugalos, në fluturimin e parë pas një ndërprerjeje 10 vjeçare mes Athinës dhe Shkupit, me të cilën në mënyrë simbolike dhe thelbësore afruam dy kryeqytetet më afër se një orë” – theksoi Osmani, duke potencuar pajtueshmërinë mes dy vendeve rreth iniciativës trelaterale mes Maqedonisë, Greqisë dhe Shqipërisë, për zhvillim të qëndrueshëm të rajonit të Prespës, si dhe në iniciativat për partneritet strategjik me Greqinë dhe përkrahjen e tyre për integrimet evropiane të vendit.

Osmani informoi Han edhe për progresin në përgatitjen e strukturës negociuese për fillimin e negociatave. “Punojmë në mënyrë aktive në përfshirjen si të sektorit civil, ashtu edhe të komunitetit akademik në strukturën negociuese, proces që presim në mënyrë plotësuese ta përforcojë profesionalizmin negociues dhe efikasitetin e vendit” - theksoi Osmani.

“Kemi progres pas gjitha trajektoreve – adresimin e Reformave Urgjente Prioritare dhe rekomandimeve lidhur me integrimet evropiane; implementimin e detyrimeve nga marrëveshjet me Bulgarinë dhe Greqinë dhe progres në marrëdhëniet ndërfqinjësore; si dhe në përgatitjen e ekipit dhe strukturës negociuese për fillimin e negociatave”- theksoi Osmani, duke shprehur bindjen deri tek Eurokomisioneri Han se Maqedonia me sukses do të përfshihet në Strategjinë e Komisionit për Zgjerim me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe me sukses do ta realizojë Agjendën 2025.

Në kuadër të vizitës në Bruksel, Osmani mbajti edhe brifing joformal me përfaqësues të Grupit Punues në Këshillin e BE-së për Ballkanin Perëndimor (KOVEB), ku edhe prezantoi Planin 18.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat