Anulohet gjykimi për rastin “Titanik”, avokatët kërkojnë që Gruevski të mos gjykohet në mungesë

Maqedonia

Anulohet gjykimi për rastin “Titanik”, avokatët kërkojnë që Gruevski të mos gjykohet në mungesë

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 11:56
Nikolla Gruevski

Seanca e sotme për rastin “Titanik” të PSP-së është anuluar për shkak të mospasjes së kushteve për mbajtjen e saj. Seanca e radhës është caktuar për më 23 nëntor.

Në seancën e sotme nuk ishin të pranishëm Nikolla Gruevski, i cili ndodhet në arrati në Hungari, Mile Janakieski dhe Kirill Bozhinovski të cilët janë në paraburgim.

Avokatët e Nikolla Gruevskit, deklaruan se nëse klienti i tyre gjykohet në mungesë siç propozoi Prokuroria Speciale, do të shkelen të drejtat e njeriut.

Avokati Elenko Millanov deklaroi se nëse ish-kryeministri gjykohet në mungesë, do të pamundësohet e drejta që të merren në pyetje dëshmitarët që kanë propozuar. Në vend të gjykimit në mungesë, ata kërkojnë që për Gruevskin të ketë procedurë të veçantë në rastin “Titanik”.

Avokati Boro Tasevski theksoi se në këtë lëndë nuk duhet të merren masa shtesë represive ndaj të akuzuarve. Ai shtoi se akoma nuk e kanë marrë aktin për paraburgimin e të akuzuarve Mile Janakieski dhe Kirill Bozhinovski dhe se do të deklarohen pasi ta marrin të njëjtin.

Gjykatësi Osman Shabani seancën e radhës për lëndën “Titanik” e caktoi për 23 nëntor kur edhe do ta shqiptojë vendimin për procesin e gjykimit, duke pasur parasysh se Gruevski është jashtë shtetit dhe nuk do të paraqitet në seanca.

Rasti “Titanik” i PSP-së ka të bëjë me parregullsi zgjedhore, ndërsa mesin e të akuzuarve është edhe Gordana Jankulloksa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat