Gruevski do të gjykohet në mungesë

Maqedonia

Gruevski do të gjykohet në mungesë

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 15:44
Gjykata

Mbrojtja thotë se është i kapshëm për organet e përndjekjes Gjykata në fillim të seancës së sotme për rastin “Dhuna në Qendër” ka sjell vendim për të akuzuarin Nikolla Gruevski i cili u arratis në Hungari, që të gjykohet në mungesë. Gjykatësi Dushan Josifov ka thënë se i akuzuari Nikolla Gruevski nuk është prezent, ku dhe ka marrë informacion se nuk është i kapshëm për policinë.

Prokurorja Fatime Fetai tha se ekzistojnë arsye të rëndësishme që të gjykohet në mungesë i akuzuari Nikolla Gruevski.

“Bëhet fjalë për propozim- akuzë të ngritur para dy vitesh për vepra dhe lëndë me më shumë dëshmitarë. Poashtu, nuk është aspak e sigurt se kur Gruevski do të jetë i kapshëm që të gjykohet në prezencë. Propozoj që të gjykohet në mungesë”, ka thënë Fetai. Fetati ka shtuar që madje Gruevskit t’i caktohet masë paraburgimi edhe për këtë procedurë.

Avokati Dimitar Dangov, propozimin e ka hedhur poshtë si të pabazë.

“MPB-ja e jonë në kontakt me MPB-në e Hungarisë mund të bëjë përpjekjet për thirrje, me qëllimtë jetë i kapshëm për këtë procedurë. E pakontestueshme është se Gruevski është në Hungari ku kërkon azil politik. Mbrojtja mendon se Gruevski është i kapshëm për organet e përndjekjes, pra është e njohur adresa e tij e vendbanimit dhe në kuptim më të gjerë të fjalës, ai është i kapshëm edhe për shkak të fletëarrestit ndërkombëtar kundër tij. Nuk janë të përmbushur kushtet për gjykim në mungesë dhe kërkojmë ndarjen e procedurës”, ka thënë Dangov.

Gjykata pas kërkesës për paraburgim të Gruevskit, me faktin se është deputet, tha se do të vendos pas marrjes së mendimit rreth kësaj. Gruevski dhe Janakievski, bashkë me më shumë persona akuzohen për dhunë në komunën Qendër në vitin 2013.

Seanca e sotme ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit, i cili në vitin 2013 ka qenë i punësuar si sigurim në komunën Qendër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat