Kërkohen masa afatgjate kundër ndotjes së ajrit në Maqedoni

Maqedonia

Kërkohen masa afatgjate kundër ndotjes së ajrit në Maqedoni

Më: 24 nëntor 2018 Në ora: 07:57
Ilustrim

Organizatat joqeveritare vazhdojnë ta ngrenë zërin kundër ndotjes alarmante të ajrit në Maqedoni.

Një pjesë e tyre përmes peticioneve tentojnë të detyrojnë autoritetet të ndërmarrin masa urgjente për këtë problem të pazgjidhur prej vitesh.  Organizata joqeveritare Eko-Svest kërkon nga Qyteti i Shkupit dhe Ministria e Ambientit që shëndetin e qytetarëve ta kenë prioritet të lartë.

Ndër 10 masat që propozohen kundër ndotjes janë:

-Të ndalohet përdorimi i qymyrit për ngrohje te amvisëritë

-Kufizim i lëvizjes së automjeteve në pjesët qendrore të qytetit (pjesërisht ose tërësisht)

-Përmirësimin e transportit publik dhe shtimin e linjave të reja të transportit publik

-Kufizimin e aktiviteteve ndërtimore dhe industriale gjatë periudhës dimërore

OJQ-të thonë se në rast të mos-marrjes së masave të duhura, do të vazhdojë të rritet numri i vdekjeve si pasojë e ajrit të ndotur. Pavarësisht kritikave të shumta të sektorit civil dhe ankesave të shumta të qytetarëve, kreu i Shkupit thotë se janë ndërmarrë dhe vazhdimisht po merren masa, por është e pamundur që problemi me ndotjen të tejkalohet brenda natës.

“Mënyra më e gabueshme për të trajtuar ndotjen është të mendoni se mundet të ndërmerret diçka dhe menjëherë të zgjidhet problemi. Problemi me ndotjen e ajrit është problem që është krijuar me vite më parë për shkak të strategjive jo të mira dhe planifikimi jo të mirë të Qytetit. Duhet të targetojmë të gjitha burimet e ndotjes që ne e kemi bërë. Jo rastësisht qyteti i Shkupit ka filluar blerjen e autobusëve ekologjik të cilat vitin e ardhshëm do të vozisin në qytet dhe jo rastësisht Qyteti i Shkupit ka marrë nismë për etiketën ekologjike të automjeteve, sepse transporti kontribuon rreth 22 për qind në ndotjen e ajrit”, deklaroi Petre Shilegov, kryetar i Qytetit të Shkupit, transmeton Alsat M.

Për ditë të tëra Maqedonia shënon shifra alarmante të ndotjes së ajrit, ku qytetet më të ndotura rezultojnë të jenë Shkupi, Tetova dhe Manastiri. Tre milionë njerëz çdo vit vdesin nga sëmundjet kronike respiratore, ndërsa 400 milion njerëz në gjithë botën vuajnë nga sëmundjet kronike të frymëmarrjes. Shkaktar kryesor është niveli i lartë i ndotjes së ajrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat