Xhaferi: Me Emiratet rrallë kemi takime bilaterale në nivel të lartë

Maqedonia

Xhaferi: Me Emiratet rrallë kemi takime bilaterale në nivel të lartë

Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 18:20
Alraisi dhe Xhaferi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me SH.T. Sager Naser Ahmed Abdulah Alraisi, ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe për Republikën e Maqedonisë.

Siç kumtojnë nga shërbimi i Kuvendit, Xhaferi në takim ka shprehur falënderime dhe kënaqësi nga marrëdhëniet e vendosura diplomatike që nga vitit 1996 nën emrin kushtetuese, por për fat të keq, siç ka potencuar ai, gjatë kësaj periudhe rrallë ka takime të bilaterale në nivel të lartë.

Xhaferi në takim ka thënë se inkurajon grupin kuvendar për bashkëpunim me vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afërt, të vendosin komunikim me kolegët e tyre dhe të nisin diplomaci kuvendare që është e rëndësishme.

“Në planin multilateral, bashkëpunimi në organizatat ndërkombëtare dhe në sistemin e OKB- së është i mirë, shpeshherë mbështeten kandidimet e ndërsjella dhe Republika e Maqedonisë në këtë drejtim, tradicionalisht e mbështet kandidimin e EBA në kuadër të trupave dhe organeve të organizatave ndërkombëtare”, tha Xhaferi.

Nga ana tjetër, siç kumtojnë nga kabineti i Kuvendit, Ambasadori, SH.T. Sager Naser Ahmed Abdulah Alraisi shprehu mbështetje të hapur dhe të fuqishme për Republikën e Maqedonisë, duke i sugjeruar përfitimet për vendet e vogla nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO, dhe përparësitë që mundësohen për vendet anëtare të plotfuqishme të këtyre organizatave.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se kultivimi dhe përparimi i marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve duhet të shënojë në intensitet në periudhën që vijon, si edhe të thellohet në fushën e arsimit, ekonomisë, ambientit jetësor dhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë për të dyja vendet./Telegrafi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat