Hungaria mohon të ketë gisht në arratisjen e Gruevskit

Maqedonia

Hungaria mohon të ketë gisht në arratisjen e Gruevskit

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 17:57
Nikolla Gruevski

Hungaria nuk e ka shkelur sovranitetin e Maqedonisë dhe nuk ka kurrfarë lidhje me arratisjen e ish-kryeministrit Nikola Gruevski.

Kështu thotë shefi i kabinetit të qeverisë hungareze Gerili Guliash. Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, ai tha se askush nuk i dorëzon raporte ditore se ku gjendet Gruevski dhe se ai nuk ka mbrojtje sociale, përveç që ka të drejtë për shërbime që parashihen në Ligjin për emigrantë.

“Pyetët nëse Gruevski në Maqedoni ka udhëtuar me automjet diplomatik të Hungarisë? Nuk kam njohuri, por vë bast se nuk ka udhëtuar me automjet të tillë dhe ne nuk kemi asgjë me largimin e tij nga vendi, nuk jemi të përfshirë në këtë”- u shpreh Guliash.

Në të njëjtën linjë, në intervistë për agjencinë AFP është edhe shefi i diplomacisë hungareze, Peter Sijarto i cili përsëriti se është gënjeshtër që Hungaria i ka ndihmuar Gruevskit të largohet nga Maqedoni.

“Për herë të parë këtë fenomen e kemi pasur kur ai u paraqit në ambasadën tonë në Tiranë. Ishte hera e parë kur u njoftuam me këtë rast. Nuk kemi kurrfarë lidhje me atë se si është larguar nga Maqedonia dhe me të vërtetë është skandaloze që disa media ndërkombëtare sugjerojnë se ne kemi pasur rol këtu, që kategorikisht nuk është ashtu”, tha Peter Sijarto, ministër i Jashtëm i Hungarisë.

Por, pohimet e këtilla të shefit të kabinetit të Orban janë në kundërshtim me njohuritë zyrtare të deritanishme të palës maqedonase se Gruevski është arratisur nga Maqedonia me automjet zyrtar të Hungarisë. Informacionet e njëjta erdhën edhe nga raportet policore të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat