Gazeta Zyrtare publikon shpalljen e gjykatës: “BESA i takon Kasamit”

Maqedonia

Gazeta Zyrtare publikon shpalljen e gjykatës: “BESA i takon Kasamit”

Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 19:36
BESA

Gazeta Zyrtare ka publikuar vendimin përfundimtar të Gjykatës Themelore Shkupi 2 për pronësinë e Lëvizjes BESA. Në shpalljen që është publikuar dy ditë më parë, më 28 nëntor, ashtu siç u vendos në disa vendime gjyqësore, BESA i takon kryetarit Bilall Kasami, ndërsa në Regjistrin gjyqësor të partive politike shënohet BESA me adresë në rrugën “Hristian Todorovski Karposh”, nr. 84A në Shkup.

Kështu, pas disa ballafaqimeve në gjyq të grupit të Afrim Gashit dhe Bilall Kasamit, të gjitha instancat gjyqësore të vendit kanë vendosur se BESA i takon Kasamit, ndërsa janë pranuar ndryshimet statutore të Kongresit të 24 shkurtit të këtij viti në Shkup.

Së fundmi, ishte Gjykata e Apelit ajo që kishte hedhur poshtë kërkesën e Afrim Gashit që, nga Regjistri i partive politike të hiqet emri i Kasamit, si dhe Programi dhe Statuti i Kongresit të Shkupit.

Gashi ishte ankuar ndaj vendimit të shkallës së parë, konkretisht ndaj Gjykatës Themelore Shkupi 2, e cila kishte vendosur që BESA i takon Kasamit, i cili nga ndarja e partisë në dy grupe, ka zotuar edhe vulat e partisë.

Vendim pro Kasamit kishte sjellë edhe Gjykata Administrative dhe Gjykata e Apelit, madje në dy raste.

“Tanimë, pasi janë shterur të gjitha institucionet gjyqësore, Gashit i duhet ta gjejë një emër të ri për partinë, pasi do të pasojnë padi për keqpërdorim të emrit BESA”, thonë zyrtarë nga BESA e Kasamit.

Veç kësaj, në Gjykatën Themelore Shkupi 2 do të duhet të fillojnë edhe proceset gjyqësore kundë grupit të Gashit për “shpifje”, “keqpërdorim të partisë”, “uzurpim”…, padi këto të ngritura nga vet Bilall Kasami, si dhe vet Lëvizja BESA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat