BREXIT, pasoja ndaj bizneseve edhe në Maqedoni

Maqedonia

BREXIT, pasoja ndaj bizneseve edhe në Maqedoni

Më: 2 dhjetor 2018 Në ora: 15:32
Foto ilustrim

Sektori i biznesit në Maqedoni mund të marrë goditje nga dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian apo procesi i njohur si Brexit.

Megjithatë kostoja ndaj marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve do të varet nga pakti i shkëputjes së Britanisë së Madhe nga familja e madhe evropiane respektivisht nëse do të mbeten në lojë rregullat e vjetra për tregti të lirë. Nëse dështon marrëveshja që u arrit mes Britanisë dhe BE-së, biznesmenët druajnë se pasojat do të ishin shumë serioze pikërisht për shkak të uljes së eksportit.

“Britanikët njihen si popull konsumator, megjithatë fakti që edhe në të ardhmen do të ketë inflacion dhe ulje të Prodhimit Bruto Vendor do të ndikojë që të harxhojnë gjithnjë e më pak. Kjo do të kishte impakt negativ ndaj prodhuesve dhe atyre që eksportojnë mallrat e tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Pra shkëmbimi tregtar do të ulej definitivsht”, u shpreh Irena Jakimovska, pronare e “Komfi Angell”

Bizneset që bashkëpunojnë ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar dhe që mallrat e tyre i eksportojnë kryesisht në këtë vend tashmë kanë filluar që të kërkojnë tregje të reja alternative.

“Fakti që ndjekim inflacionin, uljen e PBV-së është tregues se duhet të orientohemi në tregje alternative nëse vjen deri te ulja e shkëmbimit tregtar të prodhimeve tona. Jemi të fokusuar për gjetjen e tregjeve të reja, një nga tregjet potenciale është tregu amerikan”, theksoi Irena Jakimovska, pronare e “Komfi Angell”

Maqedonia vepron aktualisht me vendet e Bashkimit Evropian, në kuadër të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, mbetet të shihet nëse bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar do të vijojë ose jo në këtë formë. Në bazë të të dhënave zyrtare këmbimi tregtar me Mbretërinë e Bashkuar nga janari deri në shtator të këtij viti ka qenë 590 milionë euro. Respektivisht, vlera e eksporteve ka qenë 78 milionë euro ndërsa e importeve 512 milionë euro. Nga ana tjetër investimet direkte nga Britania e Madhe deri në shtator të këtij viti ka qenë 23 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat