As Maqedonia as Kosova s’realizuan premtimin për hetim ndërkombëtar në rastin “Kumanova”

Maqedonia

As Maqedonia as Kosova s’realizuan premtimin për hetim ndërkombëtar në rastin “Kumanova”

Më: 8 dhjetor 2018 Në ora: 18:02
As Maqedonia as Kosova s’realizuan premtimin për hetim ndërkombëtar në rastin “Kumanova”

Gati katër vite nga luftimet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015, institucionet në Maqedoni kanë lënë në harresë epilogun e vërtetë gjyqësor për këtë rast.

Hetimi për të kuptuar motivet e grupit të armatosur ishte premtuar nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti pak ditë pas përleshjes së armatosur.

“Kjo do një hetim shumë të fortë, por që do edhe angazhimin e hetuesisë ndërkombëtare sepse nuk është aq e thjeshtë të shohim deri në inde se në shërbim të kujt ishin, çfarë qëllimi kishin dhe çka deshën të realizojnë”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Duke u thirrur në Qeveri reformatore, edhe kryeministri Zoran Zaev pak muaj pas marrjes së mandatit kishte premtuar një hetim ndërkombëtar për Lagjen e Trimave.

“Nuk duam të kemi dilema për çështje të paqarta e të cilat janë në interes të qytetarëve. Besojmë se bashkë me bashkësinë ndërkombëtare do të gjejmë mundësinë për hapjen e një hetimi ndërkombëtar për këtë rast”, pohoi Zaev, raporton Alsat-M.

Paraprakisht një gjë të tillë e kishte premtuar edhe i pari i policisë, Oliver Spasovski.

“Ne si Qeveri kemi marr për obligim që të bëjmë hetim plotësues edhe atë ndërkombëtar me qëllim që opinioni ta kuptojë të vërtetën për këtë rast”, pohoi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

Premtime të ngjashme ishin dhënë edhe në Kosovë. Kumanova ishte temë bisedimi edhe në takimin e parë në nivel kryeministrash mes kryeministrit Zoran Zaev dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Megjithatë ekspertët vlerësojnë se të dy vendet, si pasojë e prezencës së nivelit të lartë të krimit në organet hetuese, nuk kanë fuqinë dhe vullnetin e mjaftueshëm për hetim ndërkombëtar të rastit Lagja e Trimave.

“Qeveritë e vendeve ballkanike mbi 80 për qind janë të përfshira në krimin e organizuar në bazë të të dhënave të FBI-së dhe CIA-s. Kjo nënkupton se këto shtete nuk janë të interesuara për të bashkëpunuar në aspektin e shtetit të së drejtës por, përkundrazi, janë pjesë e krimit të organizuar. Këtu mban fajin edhe Kosova e cila gjithashtu kishte premtuar një procedurë para-hetimore dhe hetimore ndërkombëtare”, deklaroi Bashkim Selamni, ekspert Sigurie.

Hetimin ndërkombëtar për rastin Lagja e Trimave e kërkuan edhe familjarët e të dënuarve për këtë rast para godinës ku pak javë më parë po mbahej mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë. Për të njëjtat arsye familjarët kanë protestuar disa herë nëpër qytete të ndryshme me qëllim inicimin e hetimit ndërnacional.

Për rastin e Lagjes së Trimave, u shqiptuan 746 vjet burgim për 33 pjesëtarët e grupit të Kumanovës, 7 prej të cilëve me burg të përjetshëm. Në ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë mbetën të vrarë 10 pjesëtarët të grupit të armatosur dhe 8 pjesëtarë të policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat