Reperi Bloody: Nga Getoar Selimi te Tayna, si është të bësh famë mes muzikës së luksit, drogës dhe seksit

Mediale Vip

Reperi Bloody: Nga Getoar Selimi te Tayna, si është të bësh famë mes muzikës së luksit, drogës dhe seksit

Më: 15 janar 2019 Në ora: 15:23
Reperi Bloody

Famë, luks dhe aventura është jeta e reperave më të paguar shqiptarë. Bloody është një reper i ri, i cili i është shtuar këtij zhanri në Shqipëri, duke u bërë i njohur brenda një periudhe të shkurtër.

Me origjinë nga Struga, ai ka publikuar së fundi projektin e tij me titull “Nutella”, që në pak kohë u bë pjesë e “The Top List” së “Top Channel”.

Në këtë intervistë për “Panorama Plus”, Bloody, emri i vërtetë i të cilit është Bledi Beqiri ka folur për profilin unik dhe depërtimin në tregun e muzikës së luksit, ku jeta që bëjnë pasqyrohet si një “reality show” në klipet e tyre.

Mbi 15 këngë deri tani, të gjitha të realizuara në klipe. Për çfarë dallohesh ti si reper?

Janë plot 15 këngë të miat, të cilat janë të gjitha me videoklipe. Kjo pasi që prej fillimit kur kam nisur hapat e parë të muzikës, i kam dhënë fjalën vetes që çdo këngë që do bëj, do të jetë e kompletuar me një videoklip.

Sa i përket dallimit si reper, gjithmonë mundohem të përcjell mesazhe të mira tek ata që pëlqejnë muzikën time. Gjithmonë dua që të njihem si shembull i mirë e jo për skandale ose diçka e tillë. Thjesht dua t’i motivoj të gjithë ata që kanë ëndrra në jetë, që t’i realizojnë të gjitha, duke mos e humbur asnjëherë besimin në vetvete.

Zakonisht, jeta e një reperi nënkupton rrezikun, paratë dhe femrat. Po jeta jote si është, a mund të kujtosh disa aventura?

Po, në fakt jeta e një reperi ashtu është me pak fjalë “jo e qetë”, sepse ka edhe nga ata që të mbështesin fuqishëm, por ka edhe nga ata që të urrejnë fuqishëm. Por gjithsesi gjërat gjithmonë duhet të merren lehtë e qetë, që t’i anashkalosh të gjitha vështirësitë. Sa u përket femrave, kur arrin deri në një pikë të lartë, ka nga ato që të duan për atë që je, por shumica afrohen vetëm e vetëm për shkaqe interesi (të paktën kështu mendoj unë).

Ndërsa për paranë, normal që paraja është gjithçka në këtë kohë që jetojmë, por jo për mua. Për mua është thjesht një letër sepse në fund të fundit ç’të duhet paraja kur jetën e ke të shkatërruar, të parehatshme dhe s’je i lumtur. Ndërsa për aventurat nuk di nga t’ia nis. I kam bërë të gjitha në këtë jetë e s’më duket diçka interesante, por s’kam qejf të flas shumë për këtë pjesë sepse mendoj është më mirë të mbetet private.

Me cilat këngëtare femra do të doje të bashkëpunoje, duke menduar se do të ishte një dyshe që godet?

Hmmm! Do kisha dashur të kisha një bashkëpunim me Dhurata Dorën, ose Kidën. S’di pse, por më pëlqen stili i muzikës që ato bëjnë, është tepër i kapshëm për veshin tonë dhe besoj se përshtatem tepër me to.

Tayna është një emër i ri në repin femëror shqiptar, që bëri famë sa hap e mbyll sytë. Ç’mund të thuash për të, duke qenë se jeni dhe rivalë?

Tanyan e njoh vetëm si repere të re në treg, por që është futur fuqishëm. Nuk e njoh personalisht si person, por flas në aspektin muzikor është duke bërë revolucion me stilin e saj. Bravo! Është duke bërë punën e saj më mirë se ç’duhet, e ndoshta është edhe më e mirë se sa disa repera djem që janë në muzikën tonë e që kanë vetëm fjalë boshe e aspak vepra.

Meqë përmende reperat, cilin do të veçoje prej tyre, pra, kush është ai që e meriton të konsiderohet “mbreti” rap-it?

Të gjithë janë mbretër në stilin që ata kanë. Ndoshta ne shqiptarët jemi duke dominuar shumë nëpër botë për muzikën që bëjmë, por do të veçoja dy emra, me të cilët jam rritur duke dëgjuar muzikën e tyre; Getoar Selimin (Ghetto Geasy) dhe Unikkatil.

Makina të shtrenjta, drogë dhe seks janë disa nga pasionet që dominojnë stilin e jetës së një këngëtari rap. Ti cilën nga këto preferon më shumë?

Jam tepër i pasionuar pas makinave. S’di pse i dua shumë, sidomos ato të markës “Mercedes Benz”, por çdokush ka shijen e vet e kjo nuk është diçka e çuditshme. Sa i përket drogës, kam pasur shumë mundësi që t’i provoj edhe këto të gjitha, nga A në ZH, por gjithmonë jam distancuar se nuk është diçka që më tërheq.

Gjithashtu mendoj që nuk është mirë të konsumohen. Ndoshta shumica i përdorin, duke menduar se ua bën trurin më aktiv për të shkruar tekste ose për të bërë jetë më të çmendur, por për mua jo. Unë arrij t’i bëj të gjitha këto pa përdorur drogë, ose gjëra të tilla si këto.

Për seksin s’di çfarë të them. (Qesh) Gjithçka varet nga personi, sepse mund të kesh milionat ose miliardat, mund t’i kesh të gjitha mrekullitë e botës, por kur s’do, s’do dhe është e kotë. Kështu që, sido që të jetë, varet nga femrat. Nëse dikush të afrohet për atë pjesë e do se ka qejf ta bëjë me ty për x arsye. Pra, janë gjëra të cilat nuk parashikohen, gjithçka vjen spontanisht.

Një djalë i muzikës së rrugës, a ka zemër për të dashuruar dhe vuajtur?

Rruga, jeta e dashuria, të treja lidhen bashkë, sepse nga rruga nis ta kuptosh jetën e nga jeta nis të kërkosh dashurinë. Të gjithë kemi zemër, të gjithë kemi ndjenja e kështu që mendoj se secili nga ne e ka nga një histori të vetën. Për mua, rruga, jeta, dashuria mendoj se janë sfidat më të forta për t’u bërë më i fortë në jetë.

Cilat janë vargjet e këngës që të zbulojnë ty si mashkull?

Është një këngë që quhet “Një shpresë”. Flet për mua personalisht si person dhe ka të bëjë sidomos tepër edhe me realitetin që sot ne e jetojmë. Por janë edhe disa të tjera, të cilat kanë të bëjnë me mua, gati përqindja më e madhe e këngëve që unë kam publikuar, kanë brenda pak Bledi, që tregojnë pjesën time pozitive dhe atë negative. Sepse në muzikë nuk mund të shkruash diçka që s’e ndjen dhe që s’ka të bëjë me ty

Ke menduar të bëhesh pjesë në festivale, apo preferon të qëndrosh larg garave me çmime?

Shumë do të kisha dëshirë të konkurroja në “Kënga Magjike”, por nëse gjithçka do të vlerësohet ashtu siç duhet, jo të vlerësohen njerëzit nga miqësia ose nga rrethi që ata kanë me jurinë ose stafin. Por nuk i dihet, ndoshta në të ardhmen do të jem pjesë.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat