'A mërzitet burri kur shkon vonë në shtëpi', Flet Elhaida Dani për jetën private

Mediale Vip

'A mërzitet burri kur shkon vonë në shtëpi', Flet Elhaida Dani për jetën private

Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 17:38
Elhaida Dani

Ja që fëmijët të bëjnë të tregosh ndonjëherë edhe disa gjëra që në asnjë intervistë tjetër nuk do mundeshe t’i thoshe. 

Ose, të paktën, do të doje t’i anashkaloje. Kështu i ndodhi Elhaida Danit sonte ndërsa ishte përballë fëmijëve në “Kurthin e Piter Panit”. Ndonëse e merrte me mend që mund ta vendosnin edhe atë në siklet, pas ish-kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, mendoi se, ashtu si ajo, edhe Elhaida mund t’u manovronte pyetjeve të sikletshme (si shkodrane elegante dhe e rafinuar), por nuk ia doli dot.

Pasi iu përgjigj pyetjes ‘ç’gjë e skuq më shumë (komplimentet)’, këngëtarja nuk e dinte se pak minuta pas saj, një pyetje do ta skuqte prej vërteti. Natyrisht, kur është fjala për pyetje nga jeta private, nga ato të sikletshmet që duan të dinë për dikë apo diçka të re që ka hyrë në jetën e saj, edhe Elhaida nuk mund t’i përballojë me aq lehtësi.

“A mërzitet burri kur vjen vonë nga puna?” – ishte një nga pyetjet e fëmijëve që Elhaida e priti me të qeshur, por edhe me skuqje… “Ja kjo pyetje më bën të skuqem”, – tha ajo pas kësaj duke dashur që t’i shpëtonte paq, por nuk ia doli. Edhe pse nuk deshi të përgjigjej, dha një përgjigje nga e cila diçka mund të kuptojmë: “Më shumë, unë mërzitem vetë kur kthehem vonë nga puna. Nuk them dot nëse do mërzitej burri apo dikush tjetër që mund të jetë me mua. Nuk do t’i përgjigjem kësaj…” – tha Elhaida, por ndoshta e dha përgjigjen. Apo hodhi një shkëndijë?

Gjithsesi, jeta e Elhaidës, momentalisht është e mbushur me udhëtime, me koncerte, nga njëri vend në tjetrin. Pothuaj 90 për qind e kohës së saj është në udhëtim, kështu që, edhe nëse është dikush në shtëpi, mbase nuk ka kohë të mërzitet. Mundet të ketë kohë për ta marrë malli…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat