Gjykata kërkon një milion dollarë garanci që R Kelly të mbrohet në liri

Mediale Vip

Gjykata kërkon një milion dollarë garanci që R Kelly të mbrohet në liri

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 23:45
Arrestimi i R Kellyt

Gjykata në Illinois i ka caktuar dorëzani prej një milion dollarësh R Kellyt, pas arrestimit të tij në lidhje me padinë për keqtrajtimin seksual të katër femrave, tri prej të cilave kanë qenë nën moshë.

Kundër këngëtarit amerikan ishte lëshuar një fletarrest lidhur me keqtrajtimin e katër femrave gjatë viteve 1998-2010, ndërsa ai është dorëzuar vet në policinë e Chicagos.

Gjykatësi ka thënë se paditë ndaj tij janë shqetësuese dhe ia ka ndaluar çfarëdo kontakti me personat nën moshën 18 vjeçare, si dhe është detyruar ta dorëzojë pasaportën.

Më pas, prokurorja shtetërore, Kimberly Foxx, i ka treguar disa detaje për këtë rast, ndërsa viktimave iu është referuar vetëm me iniciale.

Në kohën kur kanë ndodhur abuzimet e R Kellyt, dy prej viktimave kanë qenë nën moshën 16 vjeçare, njëra ka qenë ndërmjet 14 dhe 16 vjeç, kurse viktima e katërt ka qenë 24 vjeçare.

Sipas padisë, këngëtari ka ushtruar forcë ose kërcënim gjatë kohës kur i ka kryer marrëdhëniet seksuale me viktimat.

Mediat amerikane raportojnë se nëse shpallet fajtor për keqtrajtim seksual të femrave të mitura, R Kelly do të dënohet deri në 70 vjet burg.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat