Elton Ilirjani: Më kërcënojnë pasi deklarova se s’besoj te martesat gay e birësimet

Mediale Vip

Elton Ilirjani: Më kërcënojnë pasi deklarova se s’besoj te martesat gay e birësimet

Më: 4 mars 2019 Në ora: 19:42
Elton Ilirjani

CEO i një super kompanie fitimprurëse, i pasur, afër të 40-ave, me tre histori dashurie të jetuara fort, ai njihet si gay ndryshe nga gay-t e tjerë.

Ky është Elton Ilirjani, djali nga Tepelena që deklaratën “Unë jam Gay” e bëri pikërisht në atë qytezë të vogël, pa pritur mbërritjen në metropol që të merrte guximin për të mos iu fshehur as vetes dhe as të tjerëve. Por në një intervistë të fundit televizive, Ilirjani tregoi se është kundër martesës së çifteve homoseksuale, aq më tepër adoptimit të fëmijëve, deklaratë që e vuri kundër përfaqësuesve të tjerë të LGBTI.

Për luftën brenda llojit për të cilën fliste shkrimtari dhe filozofi francez Jean-Paul Sartre, pasurinë e fituar vetë, dashurinë dhe botën me të gjitha ngjyrat e ylberit të një gay që ia doli të jetë 1-shi në botën e biznesit, Elton Ilirjani rrëfehet si kurrë më parë në këtë intervistë për “Panorama Plus” bashkë me një set fotosh të rralla për t’u parë:

Je drejtuesi i një kompanie të madhe punësimi dhe njëkohësisht sipërmarrësi që ka dalë publikisht dhe ke thënë hapur “Unë jam gay”. Cilat kanë qenë kostot e kësaj deklarate mbi seksualitetin tënd?

Po, e vërtetë. Kam krijuar dhe drejtoj një nga kompanitë më të mëdha në Ballkanin Perëndimor (Serbi, Shqipëri, Bosnie dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni), Greqi, Qipro dhe së fundmi në SHBA. Ka qenë një rrugëtim shumë i vështirë dhe me shumë sakrifica, por në fund ia kam dalë që ëndrrën time ta bëja realitet, dhe kam plane edhe më ambicioze në karrierën time. Dëshiroj që t’i bëj krenarë shqiptarët dhe Shqipërinë në botë! Ju premtoj që do e arrij!

Nga ana tjetër unë jam i vetmi(fatkeqësisht) në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bosnie dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi, por ndoshta edhe në Greqi e Qipro, dhe ndër të paktët edhe në SHBA si biznesmen i njohur dhe i suksesshëm që të pranojë publikisht orientimin seksual, duke pasur parasysh edhe rehatinë që i krijohet një personi publik dhe biznesmeni në të njëjtën kohë.

Pra jeni duke thënë që rehatia juaj personale është prishur pasi ke bërë këtë zbulesë të vetes?

Po, deri diku rehatia personale më është cenuar, jeta private më është cenuar, jam kërcënuar nga persona të ndryshem me jetë dhe madje edhe humbje miqësish dhe klientësh.Kam pasur edhe goditje nga portale dhe media të ndryshme, nga persona konservatorë. Kosto ka pasur dhe madje kanë qenë të mëdha, sepse jetojmë në një realitet ku çdo person ndryshe shikohet shtrembër, dhe kur është “shumë ndryshe” aktivizohen mekanizma shumë agresive deri të mendjet e këqija që kërkojnë eliminim fizik.

Po nëse do të mbyllje sytë dhe të mendoja për të mirat e gjithë kësaj, çfarë do të vinte në mendje?

Të mirat…? E vetmja e mirë është se unë ndjehem krenar që jam vetja ime dhe nuk shtirem. Nuk jam shtirur kurrë, madje është e kundërta sepse që në vitin 1991 unë kam deklaruar hapur në një qytezë të vogël si Tepelena që “Unë jam Gay…”. Kam jetuar gjithmonë si Gay dhe madje nuk kam dashur të përfitoj dhe as të shihem me keqardhje, sepse futem te njerëzit që e dua dhe e vlerësoj veten time maksimalisht. Nuk kam turp nga vetja dhe aspak nga të tjerët!

Je kthyer sërish në vëmendjen e publikut pasi gjatë një gjatë një programi televiziv shprehe dhe një herë mendimin tënd me Skype nga SHBA se je kundër martesës së çifteve homoseksuale aq më tepër adoptimit të fëmijëve prej tyre. Si u prit nga komuniteti LGBT ky qëndrim i yti që është perceptuar si përçarje?

Kjo vëmendja, kjo vëmendja… E drejtë, ka kohë që unë jam vënë në shënjestër të sulmeve të disa personave të tjerë LGBT në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Ata po bëjnë të pamundurën që të më prishin mua imazhin duke mashtruar, shtrembëruar dhe duke hedhur baltë pa kuptim. Kjo e ka një shpjegim.

Në Shqipëri dhe në shtetet fqinje lufta për ekzistencë është e madhe, situata ekonomike ka bërë që shumë persona që gjoja përfaqësojnë komunitetin LGBT (të gjithë komunitetin gjoja) të sjellin vetëm përçarje në komunitetin tonë dhe të përbaltin këdo që del nga rradhët dhe thotë një mendim ndryshe, qoftë edhe personal, dhe kjo për të përfituar disa fonde dhe për ta bërë situaten dramatike, a thua këtu po vriten personat LGBT çdo ditë dhe a thua ne nuk po dalim dot në rrugë, gjë që nuk është e vërtetë. Patjetër që ka diskrimimin, edhe ndoshta më shumë se vendet perëndimore, por unë kam hasur diskriminim edhe në SHBA, pasi kudo ka persona homofobë që na urrejnë dhe nuk na durojnë dot.

Në rastin tim edhe xhelozia bën të vetën, sepse këta që drejtojnë disa nga këto organizatat, madje do thoja ato më dobëtat, e kanë zërin më të lartë dhe më të shurdhueshëm… Janë vënë në kor duke më ofenduar, duke më kërcënuar, madje edhe duke përdorur emra organizatash ndërkombëtare LGBT, besoj pa autorizimin e tyre.

Duket kjo si një luftë e egër brenda llojit se kush të fitojë më shumë epërsi apo jo?

T’ju them të drejtën, diskriminim më të madh që kam hasur nga këta persona LGBT, nuk e kam hasur nga personat jo LGBT, në Shqipëri të paktën. Të lexosh portalet e tyre, statuset e tyre, videot që i montojnë me fjalë që nuk i kam thënë, etj. Madje kanë shkuar deri aty sa më përkufizojnë dhe më quajnë mua Homofob…

Për të qeshur dhe për të qarë, por nuk prisja ndryshe, sepse fatkeqësisht komuniteti ynë në Shqipëri përfaqësohet nga persona që nuk kanë ndoshta vizionin tim, dhe që nuk kanë lexuar apo investuar aq sa duhet në profesionet e tyre, dhe fatkeqësisht e kanë kthyer në profesion të qenurin “gay” apo “lezbike”.

Me këtë punë nxjerrin të ardhurat dhe madje janë në një luftë të pandalshme mes tyre aq sa nuk i mbledh dot as në një takim, sepse drejtuesit urrehen mes tyre dhe nuk bëhen kurrë bashkë dhe akuzojnë njëri-tjetrin për keqmenaxhim fondesh, etj. Për këtë unë kam fakte dhe kam asistuar edhe t’i pajtoj dhe të bëjmë një organizatë të unifikuar në Shqipëri dhe zëri ynë të dëgjohet më shumë nga shumica e shoqërisë.

Duke qenë një CEO punësimi, ti vetë i mban larg personat LGBT apo përpiqesh t’i fusësh në rrugën e karrierës?

Unë investoj çdo vit nga paratë e mia LGBTIQ Employment Equality Index (Indeksi i Barazisë në punësim për personat LGBTIQ), dhe këtë e kam investuar në 3 shtete tashmë dhe do investoj ta bëj në të gjithë botën. Ky Indeks ka bërë të mundur punësimin e shumë personave nga komuniteti që këta “drejtues” organizatash as nuk i njohin fare, sepse ata nuk trokasin kurrë në dyert e këtyre organizatave që janë në luftë të vazhdueshme dhe që së fundmi janë hedhur në sulm edhe kundër meje.

Ata duan të më mbyllin gojën sepse unë mendoj ndryshe në disa pika, që e theksoj janë mendimet e mia personale dhe nuk cenojnë askënd. Unë kam bërë të mundur punësimin e më shumë se 150 personave LGBT çdo vit dhe përfshirjen e më shumë se 100 biznesesh në këtë strategji, e tashme biznesi na përkrah dhe na i punëson personat e komunitetit dhe madje kujdeset mos të ketë diskriminim.

Ndërkohë këta persona që gjoja drejtojnë, thjesht u hipin biçikletave një ditë në vit dhe sillen nëpër Tiranë, edhe pastaj vërdallosen për të gjetur fonde e për të mbrojtur në rastin më të mirë, 4-5 persona. Vetem kaq. Ndërkohë që fatkeqësisht unë shoh ende nëpër rruge tranvestitët e dhunuar dhe të paushqyer jashtë në të ftohtë.

Je aq i ndjeshëm se t’i ndihmosh ata me para në dorë?

Unë mundohem t’i ndihmoj ata me para sa herë i shikoj, por pyetja ime është çfarë bëjnë këto organizata dhe pse nuk e strehojnë Anxhelën? Pse e lënë rrugëve të Tiranës jashtë në temperaturë nën zero gradë dhe nuk e fusin të paktën të flejë në korridoret e zyrave të tyre, të paktën në ditët më të ftohta të vitit? Aq më tepër që Anxhela bën një punë kolosale duke mbledhur gjithë punonjësit e seksit, dhe i bind të bëjnë ekzaminimet shëndetësore.

E pra, jemi dy botë krejt të ndryshme, njëra me biçikleta dhe megafonë e përbaltje të çdokujt që mendon ndryshe, duke mos kursyer as ne të komunitetit, dhe ne që jemi duke punuar për punësimin, pavarësinë ekonomike që është e nevojshme për personat LGBTIQ, që dhunohen nga familjet e tyre. Di të them me bindje të plotë që në anën time janë pjesa më e madhe e komunitetit dhe duan të kenë një jetë më të mirë. Punësohen, avancojnë në karrierë dhe të jetojnë në çifte.

Unë kam për qëllim që shumë persona LGBTIQ që janë persona publikë të dalin hapur, sepse i bëjnë mirë vetes së tyre në radhë të parë dhe pastaj i sjellin komunitetit LGBTIQ shembujt më të mirë të suksesit dhe të ndryshimit të mentalitetit shqiptar që gabimisht mendojnë se personat “gay” jane ata që nuk punojnë dhe ata që ngacmojnë seksualisht në rrugë, gjë që nuk është e vërtetë, sepse si unë ka me mijëra në Shqipëri.

Me rrëfimet e tua ke treguar se je ndryshe edhe nga vetë gay-t, të cilët përpiqen ta fusin ne shinat e normalitetit familjen me partnerë të të njëjtës gjini.Si ndjehesh kur të sulmojnë?

Jam ndryshe nga këta që kanë megafonin në dorë? Padiskutim që po, sepse unë nuk e kam profesion të qenurin Gay. Unë nuk përfitoj para nga fondet e askujt për kauzen time. Këta janë agresivë dhe ofendues. Jo më larg se dje po lexoja që unë dhe Mesila Doda po ofendoheshim. Ok e kuptoj që Mesila Doda mund të ketë pasur përplasje me këta persona, por unë që jam quajtur nga disa prej tyre sikur jam baraz me 100 Mesila?

Çudira…unë nuk e njoh Mesila Dodën, por gjithsesi nuk do zgjidhja kurrë gjuhën e urrejtjes me asnjë, sepse gjuha e urrejtjes thjesht na largon, na përçan si shoqëri dhe unë nuk e dëshiroj këte gjë. Ajo ka mendimin e vet si ne kemi mendimin tone, por kjo nuk na jep të drejtë të dyja palëve të ofendojmë. Pastaj mesa di unë konflikti me Mesila Dodën ka qenë personal i dikujt që i ka humb vula diku larg Shqipërisë dhe nuk duhet transmetuar te i gjithë komuniteti.Unë jam i fokusuar në punën time dhe kaq. Të punësoj personat LGBTIQ sa të mundem dhe t’ua bëj jetën sa më të thjeshtë.

Cilat mund të jenë pasojat e një familjeve të tillë me fëmijë?

Sa për mendimin tim: Unë personalisht nuk besoj as te martesa e personave jo-LGBTIQ dhe as te martesa e personave LGBTIQ. Nuk besoj fare te martesa, dhe aq më tepër te birësimet. Ky është mendimi im. Unë dëshiroj që të vijë një ditë që të kemi mundësinë që çdo fëmijë që lind në këtë botë të rritet me dashuri nga prindërit e vet biologjikë, sepse kjo është edhe më e mira për këta fëmijë.

Unë mendoj për fëmijët në radhe të parë, jo për dëshirat e personave të rritur. Çdo i rritur bën zgjedhjet e veta në jetë dhe duhet të jetë përgjegjës për këto zgjedhje dhe të gëzojë të mirat dhe të përballet me sfidat dhe humbjet. Për fëmijët duhet të vijë dita që të gjithë të rriten nga ata që i kanë sjellë në jetë dhe pikë, të bëjmë më të mirën që prindërit biologjike mos t’i braktisin por t’ju ofrojnë dashuri dhe përkujdesje.

Duan personat Gay apo Lesbike apo kushdo tjetër nga komuniteti të kenë fëmijë? Ok mund ta bëjnë, të martohen, të birësojnë, të bëjnë ç’të duan, unë as nuk i ndal dhe as nuk komentoj fare, nuk është puna ime dhe as detyra ime. Këto janë punët e këtyre të ndriturve që i kanë dalë për zot dhe që shpenzojnë fondet e donatorëve për këtë punë, dhe e parlamentarëve që i votojmë në një sistem demokratik që ndoshta duhet të ndryshojnë ligjet në vendet ku duhen ndryshuar.

Ata përfaqësojnë popullin dhe populli duhet emancipuar me kujdes që të mos kthehet në asnjë moment në një boomerang kundër personave LGBTIQ. Unë vetë as nuk do martohem ndonjëherë dhe as do të kem fëmijë, sepse nuk mbaj dot as martesë dhe as fëmijë. Nuk kam dëshirë dhe as mundësi, e thjeshtë. Ka vend këtu për homofobi?

Në ditët e sotme vihet re prishja e familjes tradicionale. Cilat janë mëkatet më të mëdha që bëjnë sot burrat apo gratë?

Nuk është se bëjnë mëkate, por unë mendoj që imitimi që u bëhet antivlerave të botës perëndimore apo shteteve të tjera është i gabuar. Për personat “straight” unë kam një thirrje që ta mbrojnë familjen fort, sepse edhe unë nga prindër “straight” jam rritur dhe edukuar dhe pranuar dhe jam sot ky që jam. Një familje e shëndetshme shqiptare do të thotë më shumë pasuri, qetësi dhe emancipim. E dashuroj familjen tradicionale shqiptare është vlerë dhe diamanti ynë.

Në deklaratat e tua ke thënë se shumë personazhe të njohur në fushën e politikës, biznesit apo show-t jetojnë si gay të fshehur. Çfarë do u sugjeroje të bënin me jetën e tyre?

Në Shqipëri ka shumë persona biseksualë apo gay apo lesbike që jetojnë të fshehur, edhe nuk kanë faj, sepse shoqëria është e vështirë në tërësi dhe tremben nga që disa shoqata LGBTIQ, që janë problematike dhe ata nuk kanë besim te ato, si edhe unë nuk kam. E kanë të vështirë të dalin, sepse pastaj ju dalin me megafonë dhe i shajnë, se bëj shaka. Është në fakt një shoqatë që drejtohet nga Arbër Kodra që është djalë i emancipuar dhe me këmbë në tokë. OMSA quhet shoqata që unë respektoj nga të gjitha sepse ai djalë nuk punon për para, punon me pasion. 

Kuptohet edhe Ambasada Pink që ka një profesionist të vërtetë në krye. Ka politikanë, ka artistë, ka persona nga media, shoëbiz, diplomatë, ushtarakë, biznesmenë, etj. Ata janë persona publike dhe me emër në fushat e tyre. Janë njerëz të mrekullueshëm. Disa kanë hedhur sinjalet e para dhe disa janë duke e bërë, do dalin hapur një ditë. Do kemi edhe në në Shqipëri persona “Big”, që pranojnë që të paktën janë biseksuale apo që janë Gay apo Lesbike.

Unë u kam thënë, dilni hapur, askush nuk ju cenon, askush nuk ju dëmton, bëjeni si une…! Më kanë premtuar që do dalin dhe më në fund do kemi edhe ne një shoqëri të relaksuar nga gam-gamet si nga homofobet edhe nga këta megafonët e këtyre pseudo-drejtuesve të këtyre paçavure-organizatave që do fashiten me kohën…njësoj si zhvillimet e tjera në Shqipëri ku çdo gjë po shkon në vendin e vet.

Ke deklaruar jo vetëm seksualitetin por edhe pasurinë 7 milionë Euro. Nëse do të vinte në mendje një trashëgimtar pasurie kush mund të ishte për ty?

Këtu ka pasur një keqkuptim. Kjo shifër është shprehur për xhiron e kompanive që unë kam në shtete të ndryshme, dhe kjo xhiro sa vjen dhe shtohet. Kuptohet që unë nuk jam i varfër dhe madje mund të futem te njerëzit e pasur në Shqipëri. Unë pasurinë time nëse do vdisja para mamasë sime do ia trashëgoja asaj patjetër.

Në rast se do jetojë gjate dhe do të kem shumë para të mbledhura apo kompanitë e mia dhe asetet që kam, do ua trashëgoj patjetër fëmijëve të bashkëpunëtorëve të mi më të ngushtë në kompani, Erandës për shembull, dhe kolegëve të tjerë dhe fëmijës se kushërirës sime, Brunildës. Por nëse Hunter, qenushja ime do të jetë duke jetuar, ajo do ketë pjesën e saj dhe patjetër që personat që do ishin trashëgimtar, do kujdesen për të, jam i bindur se ata e duan Hunter, apo qenushen tjetër që ndoshta do kem.

Elton Ilirjani: Të treja lidhjet e mia kanë qenë me meshkuj straight, kanë shkuar me mua për herë të parë dhe të fundit…

Je shprehur se ke pasur eksperienca edhe me femra në jetën. Çfarë të bëri të ndalosh tek meshkujt, dhe nëse do i krahasoje dy gjinitë ç’veçon magjike te secila?

Është e vërtetë, eksperienca ime e parë seksuale ka qenë me një femër në moshën 21-vjeçare. Kam pasur një lidhje 3-mujore. Magjike në këtë lidhje ishte butësia dhe shpirti shumëngjyrësh i femrës. Tashmë ato janë thjesht shoqet e mia më të mira. Meshkujt janë preferenca ime sigurisht. Ndoshta ata kam pasur qef që në fillim. Meshkujt, ata të vërtetët, janë pasion dhe shpirt luftarak. Unë preferoj meshkujt e qytetit tim, Tepelenës, sepse janë burra trima, të zgjuar, selektivë, të bukur dhe me fizik hyjnor.

Po ashtu ke thënë se të tërheqin meshkujt straight. Ka ndodhur që një mashkull ka pasur herën e parë me ty dhe ishte shqiptar?

Po, të treja lidhjet e mia (kaq meshkuj kam pasur) kanë qenë me meshkuj straight që kanë shkuar me mua për herë të parë dhe të fundit… Lidhjet e mia kanë qenë të gjata dhe ata kanë qenë të 3 të huaj. I pari turk-qipriot, i dyti anglez, dhe i treti italian. Janë djem të realizuar dhe në karriere, dhe mbi të gjitha persona me botë.

Unë nuk kam pasur asnjëherë lidhje rastësore apo lidhje një-natëshe, sepse nuk besoj dhe nuk i kam qef, përkundrazi më duken të shpifura dhe pa qëllim në vetvete, mundohem të jem më mirë se kafshët në këtë pikë, sepse edhe ato shkojnë në sezone të përcaktuara nga natyra. Unë e urrej seksin spontan, njënatësh dhe me persona të panjohur. Dëshiroj që me atë që do të kem një marrëdhënie, seksi mos të jetë ai që drejton lidhjen por mbi të gjitha shoqëria që do kem me atë person. Për momentin për shume vite jam vetem…(me këtë pjesë tallen ata drejtuesit e komunitetit me megafon, sepse nuk jam aq i shkathët sa ata).

E ke provuar dashurinë e vërtetë deri më sot, dhe si mund ta përshkruash dehjen e një CEO si ty kur bie kokë e këmbë me një mashkull?

Patjetër, dhe kur kam qenë i dashuruar nuk kam qenë as CEO dhe as i pasur. Kam qenë një student i thjeshtë me bursë, madje edhe pa para për të ngrënë bukë. I dashuri i parë me të cilin kam jetuar 5 vite ka qenë turk-qipriot. Ajo ka qenë një dashuri e madhe dhe e bukur dhe më ka mësuar shumë. Ai ka qenë ndër njerëzit më të pasur në Mesdhe. Kaq për atë… Një CEO si unë nuk bie dot kokë e këmbë në dashuri, e kam kaluar këtë fazë me dashurinë time të parë…

Si e parashikon të ardhmen tënde, një bashkëjetesë besnike apo një jetë të lirë më shumë histori brenda saj?

Jeta ime është puna dhe profesioni im. Kjo më jep shumë kënaqësi. Futem tek ata njerëz që energjinë e dashurisë dhe seksit e transmetoj në energji të mbledhur për të bërë gjëra të bukura dhe me kuptim. Nuk besoj se do dashuroj më sërish. Dashuritë e vërteta ndodhin vetëm një herë, pastaj të tjerat janë fiksime që unë i evitoj sepse edhe po të dua nuk i bëj dot. Unë do të jem vetëm dhe asnjë lidhje, të paktën deri tani me këtë mendje. Ndoshta jeta ka surpriza?

Ke frikë se të afrohen për interes?

Për interes? Patjetër që po, mbi 90% e atyre që më afrohen e bëjnë për interes dhe kjo kuptohet që në minutat e para nga një Headhunter si unë… Por unë nuk besoj se dashuria blihet, edhe po u ble do jetë e përkohshme dhe e dhimbshme për të dyja palët e përfshira…

Po frikërat e tua mund të na i zbulosh?

Frikë kam kudo se mund të më grabisin, prandaj i mbaj në bankë në Teksas të gjitha. Në qytetet e mëdha botërore kam shumë frikë. Në Tiranë jam në makinë dhe i shoqëruar gjithë kohën, dhe nuk ndjehem i kërcënuar. Në Tepelenë jam rrugëve me bizhutë e mia në dorë, sepse aty askush nuk më prek, sepse ata janë krenarë dhe e thashë trima… Ata nuk u rrëmbejnë bizhutë nga dora femrave dhe mua më konsiderojnë si të tillë në mendjen e tyre. (qesh) Tepelena është shtëpia ime, është vendi me mendjen më të hapur në botë, është mrekullia mbi tokë, toka e Ali Pashë Tepelenës!

Gjerdanë me perla, ora të shtrenjta e veshje të shtrenjta janë pjesë e stilit tënd. E kthejnë kokën shpesh kur kalon ti?  

Unë kam një koleksion të bukur bizhush, perlash (shumë gjerdanë perlash natyrale nga çdo vend i botës) që u kam vendosur edhe emra. I pari mashkull në Shqipëri që kam guxuar të vendos perla publikisht. Unaza, ora dhe vathë, të gjitha me diamante. I bëj vetë design dhe janë më lirë të bëhen. Kam një argjendar të talentuar në New York që bën punë të mrekullueshme, por edhe Argjendari “Pirro” në Tiranë bën punë cilësore dhe ata më kanë krijuar dy unaza unike, dhe sidomos kjo e fundit me një perlë gjigande me dy meshkuj që e mbajnë në kurriz. Veshjet e mia janë brenda stilit tim. Mund të them që kudo që shkoj, Londër apo Neë York, kthejnë kokën njerëzit dhe më komplimentojnë. Ndjehem mirë dhe i freskët për moshën gati 40 vjeçare që kam. Sërish kthehet koka kur kaloj!

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat