Deputetja Haxhiu: Nuk marr dhurata për 8 Mars

Mediale Vip

Deputetja Haxhiu: Nuk marr dhurata për 8 Mars

Më: 8 mars 2019 Në ora: 17:40
Albulena Haxhiu

Festa e 8 Marsit është festuar në mënyra të ndryshme në Kosovë.

Urimet për këtë festë i kanë përcjellur edhe zyrtarët e lartë shtetror me anë të rrjeteve sociale.

Por a e festojnë këtë festë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës?

Deputetja nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu në një prononcim për Ballkani.info ka thënë se këtë datë nuk e sheh si festë, duke marrë parasysh gjendjen e vajzave dhe grave në Kosovë.

“Duke marrë parasysh gjendjen e vajzave dhe grave në Kosovë, të cilat vazhdimisht po diskriminohen ku janë diku 80% të grave dhe vajzave që janë të papunësuara dhe vetëm 12% e grave janë në tregun e punës, unë nuk besoj që kemi arsye për të festuar”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka theksuar disa nga diskriminimet që iu bëhen gjinisë femërore e që edhe sot vazhdojnë të jenë problem në shoqërinë kosovare.

“Duke parë se gratë dhe vajzat përjashtohen edhe nga e drejta e trashëgimisë, andaj këtë ditë unë e konsideroj si ditë të angazhimit shoqëror, angazhimit të vajzave dhe grave për të drejtat tona, për faktin se nëse nuk ka angazhim të përbashkët kjo gjendje nuk mund të ndryshojë”, ka thënë ajo për Ballkani.info.

Deputetja ka thënë se kjo ditë duhet të na shërbejë për të reflektuar mbi këtë gjendje të krijuar në Kosovë dhe të punojnë pa ndalur deri sa të arrihen të gjitha të drejtat e gjinisë femërore, të drejta këto që garantohen me konventa ndërkombëtare dhe me Kushtetutë të Kosovës.

Në fund, Haxhiu ka thënë se personalisht nuk e festoon këtë ditë andaj edhe nuk ka pranuar ndonjë dhuratë nga bashkëshorti.

“Nuk marr dhurata për 8 Mars, pasi që siç thash nuk e konsideroj si ditë feste por si ditë angazhimi ashtu siç edhe ka nisur dhe duhet të mbarojë”, ka përfunduar deputetja.

Kujtojmë se me rastin e 8 Marsit, në Prishtinë u organizuan edhe protesta paqësore nga shoqëria civile dhe organizatat joqeveritare, për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat