Veliaj: Ardhja në jetë e djalit më ka bërë më të ndjeshëm dhe më të disiplinuar. Ja momentet me të

Mediale Vip

Veliaj: Ardhja në jetë e djalit më ka bërë më të ndjeshëm dhe më të disiplinuar. Ja momentet me të

Më: 7 prill 2019 Në ora: 06:31
Erion Veliaj me djalin e tij

Gjashtë muaj më parë, kryebashkiaku Erion Veliaj, u bë baba për herë të parë. Bashkëshortja e tij, Ajola, solli në jetë Kajanin, i cili sot ka mbushur 6 muaj. I ftuar në emisionin “Mos i fol Shoferit”, Veliaj tha se ardhja në jetë e djalit e ka bërë më të disiplinuar, ndërsa ka treguar edhe momentet me të në shtëpi.

“E kam disiplinuar veten dhe këtë e them pa humor, që të jem një baba i mirë dhe prezent. Mundohem ta kap Kajanin para se të flejë dhe të qëndroj pak kohë me të në mëngjes, duke qenë se zgjohet në momentin që unë largohem. Në fundjavë mundohem t’i bëj aktivitetet sa më të shkurtra, që të kaloj më shumë kohë me të”, tha ai.

Veliaj shtoi se tashmë si baba është më i vëmendshëm ndaj disa gjërave që më parë nuk u kushtonte aq shumë kujdes. “Jam bërë edhe pak më i vëmendshëm për disa gjëra që ndoshta më përpara më shpëtonin. Për shembull: Kemi nisur një fushatë për ushqimin e fëmijëve në çerdhe e kopshte. Në fillim ishte revolucion, thoshin: Pse, çfarë janë kalamajtë tanë, kuaj, që të hanë tërshërë?! I thosha: Po jo moj zonjë, nuk është tërshërë që hanë kuajt, është musli, nga ajo që ka edhe bajame, edhe grurë, që bashkë me yogurt janë fibra të nevojshme për fëmijët. Një javë zgjati ajo çmenduri. Që kur ka lindur çuni, jam bërë shumë i vëmëndshëm për këto gjëra që i kemi në dorë me i ndryshuar. Pra, i kemi thënë dietologëve: Me të njëjtin çmim, në vend që të hamë patatina dhe pije me gaz, a mundet që ta bëjmë menunë më të shëndetshme që mos na rritet një gjeneratë e re e fëmijëve obezë, që nesër janë klientë për spitalet me gjithë sëmundjet, tensionet dhe diabetet. Por të rritet një gjeneratë që ha mirë, ka disiplinë”, u shpreh Veliaj.

Kreu i bashkisë tha se është bërë më i ndjeshëm edhe sa i përket investimeve në ndihmë të prindërve të rinj, sikur janë rampat. “Po të shikosh sa rampa kemi rregulluar brenda Tiranës qendrore në muajt e fundit do habitesh. Pra, në një pjesë të madhe të qytetit do i dalloni edhe kur dilni që janë ato pllakat e kuqe që janë ul për t’u siguruar që ti nuk ke disnivel. S’janë bërë të gjitha, por brenda unazës së tretë pjesa më e madhe e kryqëzimeve janë për karrocat kryesisht për fëmijët, por edhe për ata që janë personat me aftësi të kufizuar”, deklaroi Veliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat