Pas Pirro Çakos, Inva Mula i jep fund edhe historisë 11-vjeçare me Ethem Ramadanin, arsyet që i çuan drejt ndarjes

Mediale Vip

Pas Pirro Çakos, Inva Mula i jep fund edhe historisë 11-vjeçare me Ethem Ramadanin, arsyet që i çuan drejt ndarjes

Më: 14 korrik 2019 Në ora: 12:49
Et

Pas 11 vitesh histori dashurie me biznesmenin nga Kosova, Ethem Ramadani, sopranoja e njohur Inva Mula duket se i ka dhënë fund edhe historisë së dytë të rëndësishme të jetës së saj. Kështu, pas divorcit të bujshëm nga Pirro Çako me të cilin ka një djalë, Anthonyn, Inva i jep fund edhe me Ethemin, babain e vajzës së tyre, Nina.

Burime pranë çiftit kanë treguar për “Panorama Plus”, se thashethemeve të këtyre viteve të fundit për krizën e shumëpërfolur Inva-Ethem, u është vënë kapaku më një ndarje, por jo si gjithë të tjerat. Kjo për faktin, sepse është ndër të paktat raste kur çifti VIP ndahet dhe mbeten miq, duke qenë se ata janë parë ndonjëherë në shoqërinë e njëri-tjetrit, madje edhe për jetë nate.E pavarësisht intervistave, ku Inva është kujdesur që të mos dalë me deklaratë të qartë për ndarjen, Ethemi në intervistat ku ka qenë i ftuar, si “Xing me Ermalin” apo “Rudina”, është kujdesur që Invën të mos e përmendë fare, sikur ajo të mos ekzistonte në jetën e tij. Pas problemeve me shëndetin në dhjetor 2018, Inva është rikthyer për udhëheqjen artistike të “MIK Festival”(Music international festival), që kësaj here mbahet në 24-28 korrik në Korçë.

Pak ditë më parë, Inva dha një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, ku foli gjerë e gjatë për karrierën dhe jetën e saj private. Pyetjes, nëse përveç djalit Anthony nga martesa e parë, edhe Nina, vajza nga lidhja me Ethemin ka prirje për muzikën, Inva iu përgjigj: “Ende nuk mund ta them me siguri, është shumë e vogël. Arti është i tillë, ku është parësore që të vijë së brendshmi, si pasojë e një dëshire personale. Përpos kësaj, talenti është i domosdoshëm, sikurse edhe puna e madhe. Janë edhe shumë elementë të tjerë!

E ardhmja do të tregojë nëse Nina do të ketë qasje ndaj muzikës, ndërsa djali vazhdon në fushën e artit”. Gjatë intervistës u ngacmua edhe për ndikimin që mund të ketë Ethemi me teknikat e tij meditative në jetën e saj dhe të vajzës, pasi duken të dyja shumë energjike.

Por kësaj pyetjeje, ku i përmendet tashmë ish-partneri, Inva i përgjigjet me diplomaci, ndërsa thotë: “Mendoj se energjia është një element që e ka në natyrën e vet. Unë gjithë jetën kam qenë shumë energjike, madje, edhe më shumë se sa duhet. Ky është një moment kur gjithë këtë energji dua ta kanalizoj, sepse edhe energjia e tepërt, nëse nuk menaxhohet si duhet të lodh më shumë se sa duhet. Pasi, pa e kuptuar mund të marrësh përsipër më shumë, nga çka realisht mundesh fizikisht. Por, sigurisht, që mënyrat më të mira për çlodhjen e njeriut janë mënyrat meditative. Janë mënyrat e njohjes dhe respektimit të vetvetes, duke u kushtuar kohën e duhur”. Po kur pyetet për të ardhmen, si përgjigjet ajo? “Të zbuloj të panjohurën! Jo vetëm unë, por çdo njeri në këtë jetë shkon drejt të panjohurës, drejt sfidave. Unë kam kuriozitetin e madh për jetën, për të realizuar çka ende nuk e kam bërë. Dhe janë këto sfida të vogla që i bëj Invës, të cilat më nxisin të bëj përpara”, një përgjigje që nënkupton shumë.

Po çfarë e ka bërë Invën që pas çdo sfide profesionale apo personale të ringrihet? “Dashuria për jetën!” thotë ajo shkurt. Në gjithë intervistën, Ethemi mbetet jashtë bisedës, një anashkalim i bërë me klas nga ajo, ndryshe nga herët e tjera që pavarësisht dëshirës për të qëndruar diskrete, kur ka qenë puna për Ethemin është ndalur më gjatë duke folur për të.

Por çfarë ka ndodhur realisht, që Inva tashmë 55 vjeçe dhe kur ka lënë karrierën operistike, vendos të mbyllë një kapitull në jetën e saj për të rinisur ndoshta një kapitull të ri? Sipas burimeve tona, Ethemi është larguar nga banesa e përbashkët, në zonën rezidenciale ku jetojnë më të pasurit e Tiranës. Ata tashmë vazhdojnë jetën të ndarë në Tiranë, Inva si një ish-soprano me famë ndërkombëtare dhe Ethemi si një ish-biznesmen i pasur i burimeve të naftës.

Të dy kanë lidhje të forta me fëmijët nga martesat e para, Ethemi me tre vajzat që jetojnë në Londër dhe Inva me djalin që jeton në Paris. Sipas miqve të tyre, kontradiktat kanë nisur për çështje ekonomike, duke qenë se as njëri dhe as tjetri nuk kanë fitimet që kishin në fillimet e njohjes së tyre. Për Invën, njohja me Ethemin, 11 vite më parë, ishte një histori princeshash, me pushime dimërore në kështjella e destinacione luksoze dhe pushime tremujore verore në jahtet e tij, ku Inva kishte të instaluar madje edhe pianon e saj.

MARRËDHËNIA E KAMUFLUAR E ETHEMIT ME INVËN, NË PUBLIK RUANIN FASADËN SI ÇIFT I LUMTUR

Viti jubilar i Gjergj Kastriot Skënderbeut vitin e kaluar mblodhi në Romë emrat më të suksesshëm të artit shqiptar në botë, si dhe figura të tjera të njohura. Mes tyre ra në sy prania e sopranos Inva Mula, e cila ishte ftuar të këndonte në atë skenë, tashmë që i ka dhënë fund karrierës me koncerte anembanë botës. Por ajo nuk kishte shkuar e vetme në këtë event.

Nuk vonoi shumë dhe postoi foton në krah të partnerit Ethem Ramadani, një nga daljet e tyre të para në publik, që para dy vitesh kur u përfolën për një krizë në marrëdhënien e tyre. Kjo dalje ishte rasti më i mirë, që ata të shfaqeshin në publik si çifti i lumtur, pavarësisht problemeve në marrëdhënie.

Ishte pikërisht periudha kur Inva mori vendimin për t’u kthyer në Shqipëri, pasi u bë pjesë e produksionit “Virtuozët” në “Tv Klan”. E tashmë që flitet se ka hequr dorë nga karriera operistike (duke qenë se këndon vetëm si e ftuar për ndonjë event), Inva u angazhua në televizion si drejtore artistike e Festivalit të 57-të të Këngës në RTSH, ndërkohë menaxhon dhe barin e saj në Tiranë.

Ndërsa biznesmeni i komentuar për pasurinë e tij, përveç seancave të meditimit që ofron për të interesuarit, ka hapur tashmë klinikën e tij të mjekësisë alternative, ku ndjek dhe kuron falas pacientët, pa nevojën e ilaçeve. Ethem Ramadani, një nga shqiptarët më të pasur në botë, njihet si themeluesi i kompanisë tregtare të naftës “Salbatring Internation al”, pasi emigroi në vitet ’90-të në Slloveni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat