E quajti showbizz-in një bordello të madhe, Sabiani rrëfehet: Si më detyruan të ndryshoj titullin e këngës brenda 24 orëve

Mediale Vip

E quajti showbizz-in një bordello të madhe, Sabiani rrëfehet: Si më detyruan të ndryshoj titullin e këngës brenda 24 orëve

Më: 9 shtator 2019 Në ora: 18:47
Sabiani

Nga femrat seksi në klipe, te limunizat që e shoqërojnë para koncerteve, kjo është jeta e Sabianit në muzikë pas 20 vitesh karrierë. Por së fundi ka shkaktuar zhurmë të madhe dhe mjaft reagime me klipin e fundit me titull “Big Bordello”. Për “Panorama Plus”, ai rrëfen për herë të parë arsyen pse e ndryshoi brenda 24 orëve titullin e këngës nga “Big Bordello” në “Showbiz 2” dhe realitetin shqiptar të trajtuar brenda fabulës, ku sipas tij, do të gjejnë nga pak veten të gjithë.

Sapo ke publikuar këngën “Big Bordello”, titull që e ndryshove me shpejtësinë e erës. Pse ndërrove mendim dhe pse nuk e çove deri në fund guximin për të provokuar kaq fort audiencën?

Titulli duket vulgar të them të drejtën, prandaj vendosa ta ndryshoj në “Showbizz 2”. Kjo, pasi lexonin vetëm titullin dhe fillonin menjëherë gjykonin pa e dëgjuar tekstin dhe këngën. Kështu që, menjëherë e ndryshova në “Showbizz 2”. Mendjet vulgare direkt e përkthyen në “bordello femrash”, sepse aty u fle e u rri mendja. Nejse, në vargun “je bërë bordello si femër” autori ka dashur të thotë që çdo gjë e blen dhe e shet me para. Kam kërkuar shumë detaje, pasi me pëlqeu dhe u tregova i gatshëm menjëherë ta këndoja këtë krijim. Unë këndoj shumë lloj zhanresh të muzikës e ky tekst meritonte një motiv tallavaje me ritëm modern, kështu dhe ia përshtatëm e besoj se ka dalë superprojekt i pastër. Pastaj, kush do kërcen me të, kush do reflekton me të, gjithmonë nëse e pranon realitetin. Ka shumë elemente për ta gjetur veten aty brenda.

Duket sikur je inspiruar nga realiteti, por ç’të bën përshtypje çdo ditë e më shumë në Shqipëri?

Eh, një kritikë e imja s’besoj se do të ndryshonte gjë këtu, pasi dhe unë jam pjesë e kësaj bordelloje ku jetojmë. E mbas kaq shumë vitesh nuk ndryshuam gjë, përveçse e përkeqësuam dita-ditës dhe tani që kanë filluar të na dalin thinjat, na shkon ndonjëherë mendja të largohemi prej këtej. Gjithsesi, s’kam pse flas për këtë gjë, mjaft lodhemi përditë nga rutina e politikës, krimit dhe mjerimit. Më një fjalë, nga kjo “bordello” që na ka kapluar.

Në Shqipëri, kujt do t’i vendosje pa asnjë mëdyshje etiketën “Bordello”?

Asgjë dhe askënd s’do e etiketoja me emrin “Bordello” në Shqipërinë time. Kësaj i thonë pështy lart e të bie në fytyrë. S’dua të bëhem pjesë e atyre që e nxijnë ditaditës me sharje e kritika vendin tim. Mesazhi i tekstit të këngës është se për disa njerëz s’ka lidhje me Shqipërinë, sjellje bordelloje ka në të gjithë botën. Ka individë “bordello” edhe këtu si në mbarë botën. Kështu që, kujt i djeg, le ta mbajë!

Në këngën e re trajton maninë se të gjithë janë të etur për paranë, para së cilës gjithçka tjetër humbet vlerën. Mendon se kjo lakmi krijon kaos?

Nga paraja është normale t’i kenë sytë dhe vëmendjen të gjithë, pasi çdo gjë me para blihet, por deri te materialet dhe pushteti, jo më thellë. Pra, jo të blejmë edhe shpirtin me para, pasi aty kalon në bordello çdo gjë. E që mos t’i futemi më thellë, në fund të fundit, për para e miliona punojmë e sakrifikojmë, që të bëjmë një jetë më të mirë e s’ka asgjë të keqe këtu, por kënga ime në fjalë s’është kaq e thellë sa t’u futemi analizave sociale.

Në rrethin e muzikës, si do e komentoje jetën e këngëtarëve?

S’bëj asnjë koment për jetën e kolegëve dhe kolegeve të mia, por për një gjë jam i sigurt: që askush nga rrethi ynë nuk lufton për paranë, madje sakrifikojnë shumë, paguajnë shumë për ta kthyer ëndrrën e tyre në realitet dhe kush ka fatin prej nesh të gëzojë dhe suksesin dhe luksin, bravo i qoftë! E meritojnë, pasi punojnë shumë për të arritur.

Je një këngëtar dhe baba që po synon ta futësh vajzën, Keisin, në botën e muzikës. Për çfarë e këshillon të ketë kujdes, duke qenë se i njeh mirë labirintet e kësaj bote?

Sa për vajzën, s’kisha dëshirë të flisja në këtë intervistë. Çfarë kam dashur t’i them për muzikën ia kam thënë para dy vitesh, tani ajo e ka të qartë gjithçka. Është brenda botës së muzikës, e nuk po tentoj ta fus. Ka dashur Zoti e ka hyrë me kohë, tani thjesht presim projektin. Kam besim se do ia dalë më së miri, unë kam pritshmëri, ndaj s’besoj se do më zhgënjejë. Di ajo ç’bën, pak e ngadalë, por më pëlqen që të realizojë diçka që ia vlen. E mira është se gjithmonë kërkon kohën e mjaftueshme dhe durim.

Si një muzikant që je, ke kuptuar se në shpirtin tënd mbizotëron ndjenja apo aventura?

Të flasësh për veten është e vështirë se paragjykohesh, por repertori im gjatë gjithë këtyre viteve, pothuajse dy dekadave, të lë të kuptosh se në shpirtin tim mbizotërojnë të dyja, si ndjenja ashtu edhe aventura.

Ke fituar aq para sa një ditë të mbyllesh në vilën tënde pa e vrarë mendjen për asgjë dhe askënd?

Kam fituar para, jam shpërblyer për punën që kam bërë, kam mbajt familje. S’besoj se kam mbaruar akoma me punën, jam në fazë investimi. Akoma është shpejt të kap vilën e të bëj sehir.

Ke krijuar një familje të re?

Unë kam familje të madhe, unë quaj familje familjen e madhe që nga trungu për sa kohë të jetë im atë gjallë. Të re s’kam pse krijoj, kur kam gjithë këtë superfamilje.

Do të kishe dashur të kesh disa fëmijë dhe, a janë në planet e tua?

(Qesh) Fëmijë? Kush nuk i do fëmijët, sa më shumë aq më mirë. Këtu pastaj futet Zoti, ai e di si do të jetë e ardhmja. Ai t’i fal fëmijët e kush mendon se i bën vetë, e gënjen mendja. Ndaj, unë s’bëj plane për gjëra që s’janë në dorën time.

Gjithmonë je identifikuar për flokët, kur do të vendosësh të heqësh dorë totalisht nga pamja e përheshme?

Është e vërtetë që identifikohem prej tyre. Ku ka më bukur të kesh diçka më tepër. Pse t’i pres? Për sa kohë do t’i kem kështu të bukura me rrela, do t’i mbaj! S’e keni idenë, por kam 19 vite që një nga gjërat më të bukura në përditshmërinë time, është kur takoj njerëz me flokë kaçurrela e që direkt më thonë: Sabian, dhe mua më thonë Sabian, gjithë kohën më thonë i ke flokët si Sabiani”. E duke më ndodhur këto situata, si mund të ndahem nga këto gjëra?!(Qesh) Kështu që, më mirë mendoj t’i mbaj dhe për shumë kohë. Në fund të fundit, vetë kujdesem për to. Harxhoj nga koha ime, ndaj të mos e hajë meraku askënd! Kujt i jam mërzitur, të ndërrojë stacionin staacionin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat