Të kapur dorë për dore, Arbana Osmani dhe Eduart Grishaj më në fund shfaqen si të fejuar

Mediale Vip

Të kapur dorë për dore, Arbana Osmani dhe Eduart Grishaj më në fund shfaqen si të fejuar

Më: 12 tetor 2019 Në ora: 16:00
Arbana Osmani dhe Eduart Grishaj

Të veshur shik me të zezën ceremoniale dhe të kapur dorë për dore, Arbana Osmani dhe Eduart Grishaj kësaj here u shfaqën në publik si të fejuar. Ai, krahu i saj i djathtë si regjisori i programit “Dua të të bëj të lumtur” dhe ajo, krahu i tij i djathtë në deputimin e tij në kinema, duket se moderatorja e famshme dhe regjisori i talentuar janë bërë për njëritjetrin.

E pas shumë zërave e aprovimeve nga ana e tyre, më në fund vendosin t’u thonë një “po” të madhe pyetjeve kureshtare nëse janë bashkë apo jo. Tashmë nuk ka më vend për dyshime, pasi në premierën e filmit me metrazh të shkurtër “Gjyshja”, Eduarti e shprehu deri diku hapur për miqtë VIP që kishte ftuar në kinema “Millenium”, se Arbana është vajza që e bën të lumtur. Me fat që e ka në jetën e tij, pasi ajo po e mbështet shumë në karrierën si regjisor dhe tashmë ata nuk kanë pse fshihen më.

E më shumë se fjalët flet kjo foto e çiftit, e shkrepur nga fotografi i “Panorama Plus” ndërsa po hynin në premierën e filmit, që do të mbyllej me një koktejl të këndshëm.

Të hënën, regjisori Grishaj prezantoi premierën e filmit bazuar në histori të vërtetë, që hedh dritë mbi realitetin e viteve ‘80 në Malësinë e Madhe. Pas këtij evenimenti në jetën e tij, i ftuar në studion e “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, Eduarti shprehu mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët dhe miqtë që e kanë mbështetur, pasi suksesi i këtij projekti i jep më shumë vullnet për të ecur përpara.

Teksa Bieta nisi ta ngacmonte për deklaratën gjatë premierës, ku e cilësoi partneren e tij Arbana Osmani si gjënë më të mirë që ka, Grishaj preferoi të mos përsëriste fjalët, por theksoi se Arbana është edhe kritikuesja e tij më e madhe. “Përveç asaj që kam thënë, se s’dua ta përsëris, Arbana është opozitarja ime më e madhe dhe ajo që bën kritikat më të mëdha. Normalisht, është reciproke marrëdhënia e punës me Arbanën te kritikat ndaj njëritjetrit, ashtu sikurse bashkëpunimi që ne kemi te projektet që përkrahim njëritjetrin”, u shpreh ai.

“Ka qenë një mbështetje shumë e madhe e imja, morale, profesionale, që ka qenë bashkë me mua edhe në xhirime sepse i pëlqen shumë filmi, vendi që kemi xhiruar. Po ashtu, edhe unë jam një mbështetje shumë e madhe në projektin që ka ajo me gatimet, që uroj t’i mbarojë sa më shpejt se mos marrim disa kile të tepërta, që nuk e di kur do t’i heq…. “, u shpreh regjisori. “Por ti kishe një rival të fuqishëm, kishe Jonin fotograf”, e ka ngacmuar Bieta, duke përmendur djalin e Arbanës. “Unë jam duke bërë maksimumin, që të paktën për shumë pak kohë t’ia lë atij aparatin në dorë, që unë të mos merrem me ushqimet e Arbanës se janë të parezistueshme”, u shpreh Grishaj.

Më tej, Bieta e përmbylli këtë bisedë duke thënë se çifti e mbështesin shumë njëri-tjetrin, duke pohuar kështu edhe publikisht se Arbana dhe Eduarti tashmë dalin hapur. Lidhja e moderatores me regjisorin e saj u bë publike në shkurt të këtij viti dhe që nga kjo periudhë, ata vetëm e kanë përforcuar idenë me postime të bukura e komente romantike në “Instagram”, dedikuar njëri-tjetrit.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat