Ajka qenka një kopje e Besit

Mediale Vip

Ajka qenka një kopje e Besit

Më: 18 nëntor 2019 Në ora: 06:50
Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj

Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj u bënë prindër në korrik të vitit të kaluar. Edhe pse vogëlushja Ajka i ka mbushur 1 vjeç prej disa muajsh, fytyrën e saj nuk kemi mundur ta shohim të plotë, sepse Besi dhe Xhesila preferojnë të ruajnë privatësinë e të bijës. Megjithatë në ditën e saj të lindjes, ata u dorëzuan duke postuar foto me të voglën e tyre nga festa e ditëlindjes, por sërish fytyra e Ajkës nuk ishte e qartë.

Për këtë arsye, kurioziteti i njerëzve për të ditur si duket ajo, e kujt i ngjan më shumë, është i madh. E ftuar në “Prive”, Xhensila ka zbuluar diçka më shumë rreth të bijës, se kujt i ngjan ajo në pamje dhe në karakter.

“Ajka i ngjan shumë Besit. Në portret na ngjan të dyve, është një miks, por në karakter i ka ngjarë shumë Besit. Është një fëmijë shumë karagjoz, që tani do që të ta marrë buzëqeshjen. Na ka marrë edhe gjithë energjinë e mundshme, sepse është shumë e shkathët. Mamaja e Besit dhe Ija, gjyshja, thonë që Besi ka qenë një fëmijë shumë i shkathët. Nuk linte dy gurë bashkë. E bija është e njëjta”, -ka rrëfyer këngëtarja.

Por çfarë mendon Xhensila për sa i përket zgjerimit të familjes?

“Patjetër që e mendoj. Nuk ka gjë më të bukur dhe më plotësuese sesa familja. Asgjë nuk mund të të përmbushë përveç asaj shtëpisë tënde të ngrohtë, kur në fund të ditës hedh sytë përreth dhe ke një familje të ngrohtë dhe të shëndetshme. Me dëshirën e madhe të Zotit, unë dua patjetër që ta zgjeroj familjen. Ndoshta edhe shumë shpejt, sepse s’dua që Ajka të ketë diferencë shumë të madhe me motrën ose me vëllain”, -është shprehur ajo.

Me sa duket, Besi dhe Xhensila kanë në plan të kenë një familje të madhe dhe nuk do të mjaftohen me dy fëmijë.

“Jo nuk do bëj dhe një, do bëj dhe dy të tjerë... ndoshta dhe tre”, -ka përfunduar duke qeshur këngëtarja.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat