Sonte fillon Kënga Magjike 2019; mungojnë dy këngëtaret e njohura!

Mediale Vip

Sonte fillon Kënga Magjike 2019; mungojnë dy këngëtaret e njohura!

Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 17:59
Kënga Magjike

Sonte në mbrëmje do të mbahet nata e parë e festivalit “Kënga Magjjike” nën drejtimin e producentit Ardit Gjebrea.

Ky edicion, nën misionin “Këndo për të ndërtuar” do të ngjisë në skenë emra shumë të njohur të muzikës të cilët janë bërë pjesë e garës e që janë në orët e fundit të përgatitjes përpara se të ngjiten në skenë në gjysmë finalen e parë.

Siç është bërë me dije të ardhurat nga shitja e biletave do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, ku humbën jetën 51 persona e u plagosën qindra të tjerë.

Por kur kanë mbetur edhe pak orë deri në ngritjen e siparit, janë dy këngëtaret e njohura që do t’i mungojnë festivalit për shkak se zgjodhën të tërhiqen nga konkurrimi.

E para që njoftoi largimin nga festivali ishte Linda Halimi, për shkak se jeton në SHBA dhe është nënë e një vajze të vogël, ajo ka gjykuar se udhëtimi i largët nuk është diçka e favorshme për të dhe të bijën.

Një tjetër artiste e njohur që u tërhoq nga gara vetëm pak ditë më parë është Besa Kokëdhima. Këngëtarja që garoi me këngën “Histori” zgjodhi të tërhiqej nga festivali pas ngjarjes tragjike të tërmetit të 26 nëntorit duke shkruar se në këtë kohë tragjedie dhe pikëllimi e kishte të pamundur të performonte në festival.

Pavarësisht thirrjes së producentit dhe drejtuesit Ardit Gjebrea për rikthimin e Besës, kjo e fundit ishte e sigurtë në vendimin e marrë dhe nuk u ktheu më pas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat