Genc Prelvukaj me urim të veçantë në 12-vjetorin e Pavarësisë

Mediale Vip

Genc Prelvukaj me urim të veçantë në 12-vjetorin e Pavarësisë

Më: 17 shkurt 2020 Në ora: 17:34
Genc Prelvukaj

Ditën e Pavarësisë së Kosovës e ka uruar edhe këngëtari i njohur shqiptar, Genc Prelvukaj. 

Në këtë 12-vjetor, ai vjen me një shkrim mjaft interesant dhe të veçantë për popullin e Kosovës, duke përfshirë edhe të kaluarën.

Shkrimin e tij e fillon dhe e mbaron me fjalët se Kosova e Shqipëria janë një popull, dhe se askush asnjëherë nuk do t’i ndajë.

Postimi i plotë i Genc Prelvukajt për Pavarësinë:

“Dukagjinët kishin territorin e vet dhe flamurin e tyre, Muzakajt dhe Topiajt po ashtu, Spanët dhe Jonimet kishin principatat e veta dhe stemën sikurse Zenebishtet, Kastriotët, Arianitët, Balshajt etj. Megjithatë, shekuj pas shekujve, kufinjtë u zhdukën, stemat u shkrinë, familjet feudale ranë, principatat me nuansa shteti shkuan dhe mbi gërmadhat e tyre qëndroi një popull. Më pas u forcua koncepti i përkatësive fisnore. Dikush Shalë e dikush Berishë, njëri Kastrat e tjetri Grudë, një bjeshkë Shkrel e tjetra Kelmend, e kështu me radhë. Edhe ato kishin bajraktare, norma të dallueshme ligjore e territor por sërish një etni ishte mbi ta. Edhe sot, jetojmë me disa specifika të ndryshme, në disa shtete, me stema e rregulla jo të njëjta juridike, por sërish mbi të gjitha këto është një popull. Si përmbledhje, asnjë forcë, rrethanë apo krijesë politike nuk i ndau shpirtërisht shqiptarët dhe asnjë e tillë nuk do t’i ndajë kurrë. Stuhitë vijnë e shkojnë. Ato më parë na marrin shpirtin se sa ndjenjën mbi të cilën u formuam; ndjenjën e të qenit shqiptar. Kështu që festa e sotme e shkurtit, sikurse festa e mëvonshme e nëntorit janë festa të tërë shqiptarëve sepse në të dyja rastet shporrem përgjithmonë pushtues e sundues nga tokat që historikisht na takuan si komb. Urime, siç e kemi në kulturë : me dorë në zemër”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat