Mariza dhe Ledia të njëjtat e ndryshme

Mediale Vip

Mariza dhe Ledia të njëjtat e ndryshme

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 16:30
Mariza Ikonomi

Sa herë kam rastisur t’i shoh bashkë më janë dukur si dy pika uji, me të njëjtën buzëqeshje, me një stil të përafërt dhe një dashuri mes motrash nga ato që jemi mësuar t’i shohim: pa kushte. Po këtë herë Mariza Ikonomi na zbulon një tjetër dimension të raportit të saj me të motrën Ledian, e cila jeton ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Duket se kështu është gjithmonë, si një rregull i pashkruar mes dy motrash; e madhja është ajo racionalja, preçizja, dhe tejet protektive ndaj së voglës. E krejt ndryshe është motra e vogël, që në rastin e Marizës si më e vogla e shtëpisë do të ishte edhe e përkëdhelura e prindërve, e njësoj e përkëdhelur nga motra e saj e madhe. Zbuloni ku takohen motrat Ikonomi, çfarë do të thotë të kesh një motër e cila të mbështet në çdo projekt, e mbi të gjitha si ndihet Mariza në rolin e tezes.

Prej vitesh Mariza dhe Ledia jetojnë të ndara; si je përshtatur me këtë realitet? 

Motra më mungon shumë edhe pse u bënë disa vite që është larguar nga Shqipëria, por mua ende më duket çuditshëm kur dua t’i rrëfej diçka qoftë e bukur ose jo; dhe nuk e kam përballë që t’ja lexoj në sy edhe pa folur atë që ajo mendon. Gjithsesi për fat të mirë në ditët e sotme distancat zvogëlohen nëpërmjet rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të ndryshme.

Ku ndahen dhe ku takohen karakteret e njëra-tjetrës? 

Në fakt ndryshojmë shumë karakterialisht; unë jam më e qetë, i marr situatat më lehtë jo me shumë kokëdhembje, ndërsa motra ime është shumë racionale dhe preçize, është shumë më konservatore se unë. Unë jam një njeri shumë spontan, dhe krejt e kundërta e Ledias e cila është shumë e organizuar, ajo bën çdo gjë me planifikim. Por me gjithë ndryshimet që kemi në karakter ajo që na bashkon, krahas dashurisë mes motrash, është energjia. Më duket sikur në ajër vibron e njëjta energji e mirë e pozitive kur ne të dyja jemi bashkë.

Si motra e vogël; të kujtohet momenti kur Ledia të tha që është dashuruar? Si e shihje djalin që të ‘vodhi’ motrën? 

Hmm në fakt mbaj mend që m’u bë shumë qejfi për motrën kur mësova që ajo po del me dikë, dhe Ledia iku shpejt në Amerikë e ndoshta unë as nuk pata kohë që ta merrja ‘inat’ bashkëshortin e saj (Qesh). Por nuk mund të them që nuk më erdhi keq kur ajo u largua sepse mua më dukej sikur mu nda gjysma ime nga trupi. Ajo çfarë e bëri më të vështirë ndarjen tonë ishte fakti që motra ime iku në një moshë jo të vogël dhe ne ishim mësuar të rrinim gjatë gjithë kohës bashkë.

Jo vetëm motra, por ju shpesh keni qenë edhe bashkëpunëtore në muzikë

Unë kam mësuar shumë nga ime motër, sepse ajo ka mbaruar studimet për Letërsi dhe shumë tekste të miat kanë autorësinë e Ledias. Nuk ka patur asnjë projekt që unë të mos e diskutoja me të, dhe nuk mund të them që gjithmonë binim dakord sepse ndonjëherë secila prej nesh kishte qasje të ndryshme për një projekt dhe me humor shpesh i thoja Ledias se ne të dyja ishim si vëllezërit Vinsent dhe Theo Van Gogh që s’bënin dot pa njëri tjetrin.

Të kujtohet ndonjë sherr që ke patur me Ledian? 

Po ka patur dhe sherre por një herë ishte me të vërtetë serioz, edhe pse kur e kujtojmë tani qeshim. Kur kam bërë këngën “Piano e vjetër”, gjatë momentit kur do diskutonim për tekstin kemi bërë një sherr të paparë (Qesh), aq sa Ledia hoqi dorë e nervozuar dhe më la vetëm. Duke e njohur vendosmërinë e saj u tremba dhe kuptova që konflikti kishte agravuar shumë. Vetëm kur pas disa ditësh më vjen me tekstin të shkruar në dorë; sepse në fund të fundit kjo është motra, njeriu që s’ta lëshon kurrë dorën, pavarësisht çdo gjëje që mund të ndodhi.

Vetëm pak javë ke që je kthyer nga eksperienca e performimit në Krocierë; sa e frymëzuar ndihesh tani?

Po, e vërtetë është që ndihem shumë e frymëzuar, ndoshta edhe për faktin se natyra gjithmonë të frymëzon. Shkëputja nga krijimtaria por sigurisht jo nga muzika, më duket sikur më ka bërë shumë mirë dhe ma ka lehtësuar shumë proçesin e krijimtarisë. Kam bërë me të vërtetë shumë këngë këto kohë, e po ashtu kam krijuar edhe muzikën (kolonën zanore) të një filmi italo-shqiptar.

Mariza është edhe teze e një nipi dhe mbese; Çfarë marrëdhënie ke me ta dhe si e mendon veten si mami? 

Mua më pëlqejnë shumë fëmijët dhe jam munduar t’i mbështes shumë kauzat që kanë lidhje me fëmijët për problematika të ndryshme që mund të prekin ata. Jam shumë e lidhur me nipin dhe mbesën time dhe roli i tezes më pëlqen shumë. Kur jam me ta kthehem në fëmijë. Jam e sigurt që do të jem një nënë shumë e mirë, pasi mendoj se jam në një moshë në të cilën jam shumë e vetëdijshme për përgjegjësinë që kërkon një fëmijë.

Image
Image

 

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat