Akademi përkujtimore për Avdush Hasanin, fjalë të mëdha për aktorin e madh

Mediale Vip

Akademi përkujtimore për Avdush Hasanin, fjalë të mëdha për aktorin e madh

Më: 10 janar 2021 Në ora: 21:12
Akademi përkujtimore për Avdush Hasanin

Udhëheqës komunalë, pjesëtarë të komunitetit artistik, artdashës e qytetarë kanë nderuar sot aktorin e madh llapjan, Avdush Hasani në 24-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Në nderim të jetës dhe veprës së aktorit Avdush Hasani, në Teatrin e Qytetit në Podujevë, që mban emrin e aktorit, Komuna e Podujevës- Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport në bashkëpunim me Teatrin “Avdush Hasani”, organizuan akademi përkujtimore, ku ishte i pranishëm Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja Marigona Lahu anëtarë të ekzekutivit komunal, familjarë të Avdush Hasanit, aktorë e regjisorë dhe qytetarë llapjanë.

Fjalë të mëdha u thanë për aktorin e madh që la gjurmë të thella në skenën teatrore dhe kinematografike.

Image

Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi tha se sot po kujtojmë e nderojmë veprën e aktorit të madh të përmasave kombëtare, Avdush Hasani, i cili për dekada të tëra ka begatuar jetën tonë me vlera sublime të artit skenik.

“Avdush Hasani ishte një aktor i lindur. Falë tij ne pamë të gjallë në skenë ‘Beselamin’ e Qosjes, ‘Samsonin’ e Nolit, ‘Akilin’ e Euridipit, ‘Pjetër Bogdanin’ e Teki Dervishit e vepra të tjera skenike”, tha kryetari Bulliqi.

Për jetën dhe veprimtarinë artistike të Avdush Hasanit folën edhe Elhame Kutllovci – drejtoreshë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Agron Gërguri – drejtori i Teatrit “Avdush Hasani”, Bajram Ajeti-bashkëveprimtar dhe Rrahman Hasani-familjar i aktorit të ndjerë.

Për nder të jetës dhe veprës së aktorit në holin e teatrit sot u hap edhe ekspozita me fotografi të Avdush Hasanit nga shfaqjet dhe filmat e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat