Babai i Duas rrëfehet rreth saj dhe Gigi Hadid!

Mediale Vip

Babai i Duas rrëfehet rreth saj dhe Gigi Hadid!

Më: 21 janar 2021 Në ora: 19:05
Dua Lipa, Gigi Hadid

Dua Lipa dhe Gigi kanë treguar se kanë një marrëdhënie shumë të mirë mes tyre duke mos i fshehur as postimet e shpeshta krah njëra-tjetrës në rrjete sociale. Kujtojmë se ato kanë qenë mikesha para se Dua të bëhej kunata e modeles, andaj tani me siguri janë edhe më të lidhura me njëra-tjetrën.

Fansat të gjithë duan të dinë sa më shumë detaje. Ditën e sotme babai i këngëtares Dukagjin Lipa ka realizuar një lidhje direkte nga Los Angeles për emisionin e mëngjesit në Klan Kosova, ku ka rrëfyer shumë gjëra.

Ai u ngacmua nga gazetarja nëse ka qenë në shtëpinë e Gigit për ta uruar tani që është bërë nënë dhe në përgjigjen e tij zbuloi se Dua ka qenë në shtëpinë e supermodeles për mirëseardhjen në jetë të fëmijës së saj, por ata jo. Sigurisht, Hadidët s’janë aq të hapur për qoka.

“Dua ka qenë por ne jo! Ka një bebe shumë të mirë!”- tha ai.

Sakaq, ai ka folur edhe për postimet e tij dhe Duas në rrjetet sociale ku kanë inkurajuar të gjithë shqiptarët e diasporës që të votojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.

 

“E kam ndjerë si obligim qytetar. Të gjithë jemi të vendosur në shtete të ndryshme të botës, mërgata e ka gjetur kohën të vijë në Kosovë dhe të votojnë por ky vit ka qenë më i vështirë për udhëtime. E mira është që lejohet vota përmes postës, kështu që është me rëndësi që ne të gjithë të jemi të bashkuar për një lëvizje të tillë. Ta tregojmë zërin tonë në lidhje me zgjedhjet në Kosovë që të kemi një shtet çdo herë më të mirë.  Secila votë e ka rëndësinë e vet, sa më shumë që dalin në votime, vota e popullit ka domethënie më të madhe. Dalja në votime është e rëndësishme sepse me dalje masive, tregohet dëshira e vërtetë e popullit. Ajo që ka rëndësi është se duhet të përqendrohemi në kohën kur thotë KQZ. Unë e kam lansuar linkun zyrtar ku të gjithë duhet të marrin dokumentet aty. E mira e këtij votimi është se jo vetëm personat si unë që kanë pasaportë të Kosovës por edhe fëmijët tanë kanë të drejtë votimi edhe nëse nuk kanë pasaportë të Kosovës. Është e mirë edhe për gjeneratat e reja që kanë lidhje me vendin tonë. Mendoj që krejt mërgata janë kontribues shumë të mëdhenj ekonomik të vendit tonë, mbajmë shumë familje në Kosovë me punën që bëjmë në diasporë. Kanë shtëpia, banesa, janë taksa pagues prandaj edhe e drejta e tyre për të votuar është e pamohueshme”.

Ndër të tjerash, Lipa tregoi që Dua dhe e gjithë familja e tij janë regjistruar për të votuar.

“Edhe Dua i ka marrë dokumentet dhe e gjithë familja”, tha Lipa

Dukagjini ka folur edhe për planet e vajzës së tij, këngëtares së famshme në botë, Dua Lipës, për vitin 2021. Ai tha se disa planet të vitit të kaluar do të ndodhin këtë vit nëse situata me pandeminë normalizohet.

“Planet e saj varen shumë prej situatës me pandeminë. Ne mezi presim të fillojë përsëri Festivali “Sunny Hill. Shpresojmë shumë që Pandemia të qetësohet sepse duhet ta dimë që duhet të jemi të kujdesshëm me festivale. Duhet t’iu përmbahemi rregullave të COVID. Jemi të gatshëm për festivalin por jemi duke e prit vendimin e Kryetarit të Komunës, Shpend Ahmetit, për hapësirën e re të këtij festivali. Do të kemi një lajm të ri për 3-4 ditë për sajtin e festivalit. Veç pandemia mundet me na ndalë, asgjë tjetër”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat