Aktori vazhdon t’i mohojë akuzat për përdhunime

Mediale Vip

Aktori vazhdon t’i mohojë akuzat për përdhunime

Më: 21 janar 2021 Në ora: 19:06
Danny Masterson

Një përfaqësues ligjor i aktorit Danny Masterson u deklarua i pafajshëm në emër të tij rreth akuzës së ngritur kundër tij për përdhunimin e tri grave në vitet 2000.

Avokati mbrojtës, Tom Mesereau, mori pjesë në gjykimin ndaj Mastersonit, i cili nuk ishte i pranishëm në gjykatë, lidhur me tri akuzat për përdhunim dhe kërcënim në Gjykatën Supreme të Qarkut në Los Angeles.

Seanca dëgjimore, e shtyrë shpesh, u mbajt në ditën e inaugurimit të presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Gjykimi i së mërkurës mori vëmendje shumë më të vogël të mediave sesa paraqitja e parë e Mastersonit para drejtësisë në qershorin e vitit të kaluar. Leximi i aktpadisë ishte shtyrë disa herë.

Prokurorët kanë pretenduar se 44-vjeçari Masterson, që ishte liruar me kusht që nga arrestimi i tij më 17 qershor, ka përdhunuar një grua 23-vjeçare dikur gjatë vitit 2001, një tjetër grua 28-vjeçare në prillin e 2003-s dhe një 23-vjeçare në periudhën mes tetorit dhe dhjetorit të 2003-s.

Të gjitha përdhunimet e pretenduara kanë ndodhur në shtëpinë e tij në Hollywood Hills. Masterson mund të dënohet me 45 vjet burgim, në rast se shpallet fajtor.

Mesereau, klientët e mëhershëm të të cilit kanë qenë Michael Jackson dhe Bill Cosby, kishte thënë në gjykatë gjatë qershorit se akuzat ishin rezultat i vëmendjes së padrejtë nga mediat dhe i presionit politik për ta ndjekur penalisht klientin e tij. Avokati ka thënë se ekipi i tij do ta dëshmojë se Masterson është i pafajshëm.

Arrestimi i Mastersonit u realizua pas tre vjetësh hetime që pasuan me ndjekjen e rrallë penale të një figure të famshme në Hollywood në periudhën e nismës #MeToo. Pavarësisht hetimeve të shumta, shumica kanë përfunduar pa dënime, për shkak të mungesës së dëshmive ose sepse kishte kaluar shumë kohë që nga akuzat e pretenduara seksuale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat