Luana Vjollca premton surpriza

Mediale Vip

Luana Vjollca premton surpriza

Më: 27 janar 2021 Në ora: 23:47
Luana Vjollca

Këtë të shtunë pritet që të finalizohet sezoni i katërt i “Shiko kush luan”. Padyshim ky ka qenë një nga sezonet më të suksesshëm për emisionin, që ka thyer rekorde shikueshmërie. Këtë të shtunë, Luana pritet të thyejë traditën, duke mos pasur asnjë të ftuar në emisionin e saj.

Ajo ka zbuluar se në puntatën e fundit ka menduar diçka tjetër shumë të veçantë, duke i siguruar teleshikuesit se do të qëndrojnë të mbërthyer pas ekranit. Ashtu siç ka bërë gjatë gjithë këtij sezoni, Luana ka ndarë me ndjekësit disa video nga puna që zhvillon me stafin e saj për realizimin e emisionit. Ata kanë treguar se edhe për këtë të shtunë kanë menduar shumë surpriza, por vetëm njërën prej tyre kanë zbuluar.

Në episodin e fundit të “Shiko kush luan” do të transmetohen të gjithë pjesët që nuk janë shfaqur më herët në ekran. Luana është shprehur se ajo i ka prerë gjatë montazhit, por stafi i saj i ka kërkuar që t’i shfaqin në përfundim të tij. Se për çfarë skenash bëhet fjalë nuk dihet ende, por pritet që gjithçka të zbulohet të shtunën.

Ndërkohë ende nuk dihet se me çfarë projekti do të angazhohet Luana pas përfundimit të emisionit, që e konsideron si beben e saj. Ajo është shprehur se do të pushojë së bashku me stafin, por se çfarë do të ndodhë në vijim nuk dihet ende asgjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat