5 arsye të forta pse Saimiri duhet të zgjedhë Generdën në finalen e ‘Love Story’

Mediale Vip

5 arsye të forta pse Saimiri duhet të zgjedhë Generdën në finalen e ‘Love Story’

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 06:59
Samiri, Generda

Kanë kaluar plot 14 javë dhe pritet që e hëna e fundit të jetë vendimtare. 22 shkurti do të jetë edhe finalja e madhe e një spektakli të gjatë që mori të gjithë vëmendjen e publikut jo vetëm për protagonistin, por edhe për princeshat që u përpoqën deri në fund për të fituar zemrën e tij.

Gjithçka ka mbetur janë vetëm dy – të preferuarat e Saimirit, ato që udhëtuan për shumë javë në këtë spektakël dhe treguan me natyrën e tyre, pa bujë, se mund të jetë fare e thjeshtë për të bërë për vete dikë – mjafton të jesh ajo që je në jetë.

Po cilën do të zgjedhë dhe pse duhet ta zgjedhë?

Në një sondazh të publikuar pak më parë në Instagramin e revistës Class, ndjekësit renditin një sërë arsyesh pse dhe si duhet të veprojë Saimiri për zgjedhjen e tij finale. Të gjithë ata që e kanë pëlqyer dhe mbështetur Generdën deri tani, me siguri, do të pajtohen me 5 pikat e forta që kanë tërhequr vëmendjen e Saimirit. Por edhe ato që kanë rënë në sy të publikut.

1. Generda ‘la gjithçka’ për dashurinë

Kështu thuhet në rastet kur dikush lë gjithçka dhe ikën apo jo? Në fakt, nuk është tamam kështu, por Generda, siç e dini, erdhi pak javë më vonë në spektakël. Si fillim, ajo e pa Saimirin nga ekrani dhe menjëherë vendosi të udhëtonte për të qenë pjesë e “luftës” për të fituar zemrën e tij.

2. Generda e di se çfarë do

Është një prej cilësive të vajzave të vendosura, të bindura për atë që duan dhe, për më tepër, të gatshme për të luftuar deri në fund për dashurinë. Generda e shfaqi që në fillim këtë cilësi dhe nuk u ndal, pavarësisht të gjitha “sfidave” që iu desh të përballonte gjatë rrugës.

3. Është e matur

Të qenit mjaft e edukuar, e ka bërë Generdën që nga fillimi, të mos kalojë pa u vënë re nga Saimiri, por natyrisht edhe nga publiku. Eleganca dhe maturia kanë treguar javë pas jave se Generda di kur dhe çfarë të thotë – gjen momentin e duhur për të thënë gjënë e duhur. Ajo e jep gjithmonë mesazhin e saj dhe Saimiri ka ditur ta marrë atë.

4. Ka vetëbesim

Generda e di se ajo është zgjedhja më e mirë për Saimirin. Ndonëse këtë nuk e ka thënë me zë dhe publikisht, e ka lënë të kuptohet. Qysh në fillim, ajo ka pasur një kimi të pashoqe me Saimrin dhe komoditeti që i ofron e ka bërë edhe protagonistin e ‘Love Story’ ta pranojë publikisht se kur është me të nuk mendohet kurrë çfarë dhe si do ta thotë.

5. Njeh më mirë se të gjithë ‘terrenin’

Fakti që jeton në të njëjtin vend ku është rritur dhe edukuar edhe Saimiri, e ka bërë Generdën të ketë një AS nën mëngë, ndonëse kjo në sytë e publikut është interpretuar në mënyra të ndryshme. Megjithatë, bukuroshja që vjen nga Gjermania nuk e ka shfrytëzuar këtë pikë të përbashkët me princin e “Love Story”, por ka “përdorur” të tjera cilësi që, në një mënyrë a një tjetër, e kanë tërhequr Saimirin gjithmonë e më shumë drejt saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat