Burke shpalos pendimin se e vazhdoi turneun, derisa nëna i pësoi sulm

Mediale Vip

Burke shpalos pendimin se e vazhdoi turneun, derisa nëna i pësoi sulm

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 19:07
Alexandra Burke

Këngëtarja Alexandra Burke ka shpalosur të enjten pendimin e saj të thellë, pse e kishte vazhduar turneun e saj në kohën kur nëna i kishte pësuar sulm në tru.

Ylli ishte paraqitur në “Sister Act”, kur nëna e saj, Melissa Bell, u sëmurë rëndë.

Burke ngiste veturë drejt spitalit pas çdo shfaqjeje dhe flinte në dysheme, por ka thënë se i ka “humbur” nëntë muaj para se Bell të vdiste, në gushtin e vitit 2017.

“Jam penduar që kam shkuar në turne”, ka thënë ajo për mediat britanike. “Jam penduar shumë thellë, sepse kam shpenzuar shumë më tepër kohë në veturën time dhe në rrugë, sesa afër nënës sime”.

Duke folur për podcastin “How to Fail with Elizabeth Day”, fituesja e garës “X Faktor” të vitit 2008 i kishte thënë nënës së saj, gjithashtu këngëtare, se do të largohej nga turneu muzikor, pasi që ajo pësoi sulm në tru.

Por ajo ka thënë se nëna i ishte përgjigjur: “Dorëzohesh? Për keqardhje? Fillimisht, nuk e kam rritur një person që dorëzohet... Më mirë ta nxjerrësh atë trup të zi në skenë nesër. Njerëzit kanë paguar për të të shikuar. Janë vetëm nëntë muaj, po lëre, thjesht përfundoje këtë turne dhe pastaj do të kemi kohë”.

Andaj Burke e vazhdoi turneun, duke ia dhënë telefonin e saj menaxherit të skenës për çdo natë ashtu që ai të mund ta informonte mbi ndryshimet në gjendjen e nënës së saj, gjatë kohës sa ajo i ndërronte kostumet.

“Dhe pastaj do të vozisja nga kudo që isha – Manchesteri, Sheffieldi e kudo tjetër – flija në dyshemenë e spitalit në Londër, veç që ta shihja nënën time”, ka thënë ajo. “E kisha blerë një dyshek me ajër, shkoja te nëna ime me familjen, rrija natën dhe kthehesha prapë në shfaqje, kudo që isha në vend. Vozisja për tri ose katër orë”. “Pastaj në ditën e fundit të shfaqjes, pasi që e përfundova truneun në Blackpool, derisa po kthehesha në Londër e pranova një thirrje që më informoi: ‘Alex, duhet të vish menjëherë në spital”.

“Kështu që shkova në spital dhe ajo vdiq në krahët e mi, 10 minuta pasi që mbërrita. Pra, i humba nëntë muaj të tërë mundësi”.

“Më dhemb përnjëmend zemra që e vazhdova turneun, sepse është dashur që të jem më e guximshme”, ka thënë ajo. “Është dashur ta dëgjoj veten. Më është dashur që t’i them nënës: ‘Shiko, ti je prioriteti, më lejo që ta ndal këtë turne dhe të jem me ty’”.

Por, ajo ka thënë se në vend që ta bënte këtë gjë, e kishte dëgjuar atë që nëna e saj donte.

“Ajo nuk dëshironte që ta zhgënjeja ndokënd, ishte shumë e prerë në qëndrimin se nuk mund ta dëshpëroja asnjë fans”.

Në ditën kur Bell kishte vdekur, Burke ka bërë të ditur të jetë shfaqur elegante në tapetin e kuq për fillimin e emisionit “Stritly Come Dancing”.

“Mendova se nëna ime do të donte që të vazhdoja”, ka thënë këngëtarja.

Bell, e cila kishte performuar me bendin “Sould II Soul”, ka vdekur në moshën 53-vjeçare. Duke e kujtuar nënën e saj, Burke ka shtuar se “vetëm të menduarit për dashurinë që kam për të, ma sjell buzëqeshjen më të madhe në fytyrë, sepse nuk ka asnjë dashuri tjetër që e kam përjetuar sikur atë për nënën”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat