Avokatët e Deppit synojnë ta apelojnë vendimin për “rrahjen e bashkëshortes”

Mediale Vip

Avokatët e Deppit synojnë ta apelojnë vendimin për “rrahjen e bashkëshortes”

Më: 18 mars 2021 Në ora: 19:04
Johnny Depp

Avokatët e Johnny Deppit kanë njoftuar të enjten Gjykatën e Apelit në Britani të Madhe se ish-bashkëshortja e aktorit, Amber Heard, nuk i ka dhuruar, siç ka pretenduar, si donacion të gjitha paratë prej gjithsej 7 milionë dollarësh të dakorduara në marrëveshjen e shkurorëzimit. Këto argumente, avokatët kanë pretenduar se do t’i përfshijnë në procesin e synuar të zmbrapsjes së vendimit se ylli i filmave “Pirates of the Caribbean” ka sulmuar Heardin gjatë kohës sa ishin të martuar.

Ylli i Hollywoodit është duke kërkuar leje për ta apeluar vendimin e muajit nëntor të Gjykatës së Lartë, kur ai e humbi gjyqin për shpifje kundër gazetës “The Sun”, lidhur me etiketimin e tij si “rrahës i bashkëshortes” në një artikull. Depp e humbi rastin – i cili besohet që të jetë njëri prej proceseve më të mëdha gjyqësore për shpifjes në historinë e kohëve të fundit – pas një gjykimi më se trejavor në korrik.

Gjykata ka vendosur se aktori 57-vjeçar e kishte sulmuar Heardin disa herë dhe e kishte vënë tri herë vënë në rrezik për jetën.

Kurse, të enjten, avokatët e Deppit kanë kërkuar të drejtën për ta apeluar vendimin, për shkak se kanë thënë që kanë dëshmi të mjaftueshme që tregojnë se Heard nuk e ka dhënë për donacion shumën prej 7 milionë dollarësh, të cilën e kishte siguruar në kuadër të marrëveshjes për shkurorëzimit.

Depp dhe Heard nuk ishin të pranishëm në seancën dëgjimore në Londër. Çifti ishte shkurorëzuar në vitin 2016.

Avokati Andrew Caldecott ka bërë të ditur se një nga përfituesit e supozuar të bamirësisë së Heardit, spitali i fëmijëve në Los Angeles, i kishte shkruar këshilltarit të bizneseve të Deppit më 2019 për ta njoftuar se Heardi nuk kishte bërë asnjë donacion. Caldecott, për më tepër, e quajti Heardin si “gënjeshtare dhe manipuluese”, në parashtresat me shkrim për gjyqtarin.

Gjatë gjykimit, gjykatësit dhe publiku dëgjuan çiftin Depp dhe Heard tek shkëmbenin akuza të ashpra, pasi që e ngarkuan njëri-tjetrin për abuzim.

Gjykata ka zbuluar se 12 nga 14 rastet e dhunës, të cilat ishin përmendur në proces, kishin ndodhur dhe ka vendosur se ato ishin të mjaftueshme për të nxjerrë një konstatim të prerë kundër Deppit, në kuadër të padisë së tij ndaj gazetës.

Gjatë procesit, Deep kishte bërë të ditur se ka probleme me përdorimin e narkotikëve, ndërkaq ka akuzuar ish-bashkëshorten Heard se i ka sajuar akuzat për abuzim. Ai ka këmbëngulur se “nuk është person i dhunshëm, e veçmas jo ndaj grave”.

Avokatët e tij kanë argumentuar se akuzat i kishin shkaktuar “dëm serioz” reputacionit të aktorit si dhe “stres të theksueshëm e trupërim”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat