Nga Michael Jordan tek Lady Gaga: Si i kapërcejnë dështimet njerëzit e famshëm?

Mediale Vip

Nga Michael Jordan tek Lady Gaga: Si i kapërcejnë dështimet njerëzit e famshëm?

Më: 18 mars 2021 Në ora: 19:36
Lady Gaga

Lady Gaga

Në vitin 2011, Lady Gaga foli për televizionin “MTV” mbi një dështim të hershëm në karrierën e saj si këngëtare dhe se si gjyshja e ndihmoi atë të mësonte prej tij. Ndërsa këngëtarja po qante në divan, gjyshja e saj i tha:“Unë do të le që të qash për pjesën tjetër të ditës, pastaj duhet të ndalosh së qari, të shkosh atje dhe t’u tregosh të gjithëve sesa vlen.”

Michael Jordan

Në vitin 2006, ish-ylli i NBA-së, u shfaq në një reklamë të kompanisë së njohur të atleteve sportive “Nike”, duke folur për përvojën e tij me dështimet në jetë, dhe sesi ato kanë kontribuar në suksesin e tij. Në spotin publicitar ai thotë: “Gjatë karrierës time kam humbur mbi 9.000 kosha. Kam humbur thuajse 300 ndeshje… Pra kam dështuar pa pushim. Por kjo është arsyeja pse unë kam sukses!”.

Oprah Winfrey

Prezantuesja e njohur televizive amerikane Oprah Winfrey, e përjashton ekzistencën e dështimit në këtë jetë. Ajo preferon që t’i rregullojë gjërat në një mënyrë tjetër. Gjatë fjalimit që mbajti para qindra studentëve të Universitetit të Harvardit që po diplomoheshin në vitin 2013, ajo deklaroi:“Dështimi është diçka që nuk ekziston. Dështimi është thjesht momenti kur jeta përpiqet të na çojë në një drejtim tjetër”.

Taylor Swift

Për këngëtaren e famshme amerikane, është shumë e rëndësishme të jesh i sigurt, dhe të vazhdosh të luftosh për të arritur suksesin. Ajo foli me fansat e saj mbi këtë temë gjatë turneut të saj muzikor 2013-2014. Ndër të tjera ajo tha:”Të mos-pasurit frikë do të thotë kthehesh dhe të luftosh për atë që e dëshiron pa pushim… edhe pse çdo herë që e ke provuar më parë ke humbur”.

Beyonce

Këngëtarja e njohur amerikane,e sheh dështimin si pjesë të jetës, dhe kjo për arsye shumë të rëndësishme. Në një dokumentar kushtuar jetës së saj realizuar në vitin 2013, ajo ndër të tjera shprehet:“Realiteti është se ndonjëherë humbet … Dhe kjo gjë ndodh kur duhet të ndodhë. Dhe ju duhet të pajtoheni me realitetin, dhe të mësoni prej këtij dështimi”.

Maya Angelou

Ka një citat të famshëm që shpesh i atribuohet poetes së ndjerë amerikane Maya Angelou: “Bëni më të mirën që mundeni, derisa të keni mundësi të dini më shumë. Dhe kur të dini më shumë, bëni më mirë”. Edhe pse nuk ofron ndonjë këshillë specifike se si të përballeni me dështimin, kjo shprehje bart një mesazh në lidhje me vazhdimin e gjërave edhe nëse ajo çfarë ju jeni duke bërë nuk është e përsosur.

Serena Williams

Serena Williams, është një nga tenistet më të suksesshme në histori. E megjithatë karriera e saj, nuk ka qenë vetëm një listë e gjatë fitoresh. Në vitin 2012, Williams deklaroi për “The National” se dështimi është pjesë e suksesit. Ajo tha:“Unë mendoj se një kampion nuk përcaktohet nga fitoret e tij, por nga mënyra se si mund të ri-ngrihet në majë pasi është rrëzuar”.

Emma Watson

Për aktoren dhe filantropen Emma Watson, përballimi i dështimit ka të bëjë me, të mos lejuarit që ai të pengojë ecjen përpara në jetë për të arritur në fund atë që dëshiron. Në një intervistë të vitit 2011, për revistën e njohur “Vogue”, ylli i sagës kinematografike “Harry Potter” theksoi:“Unë nuk dua që frika nga dështimi të më pengojë të bëj atë që më intereson vërtet”.

Anna Wintour

Botuesja e revistës “Vogue”, Anna Wintour mund të jetë tanimë një legjendë në këtë fushë. Por edhe ajo ka përjetuar dështime në fillim të karrierës së saj, kur u pushua nga puna si redaktore e re. Anna Wintour bisedoi me Alasteir Campbell, përpara librit të tij të vitit 2015 “Fituesit: Si patën sukses ata”. Ajo tha: “Është e rëndësishme të kesh pengesa, pasi ky është realiteti i jetës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat