Të fshehtat e errëta: Pas akuzave, Grammy ndryshon rregullat

Mediale Vip

Të fshehtat e errëta: Pas akuzave, Grammy ndryshon rregullat

Më: 2 maj 2021 Në ora: 13:00
The Weeknd

Organizatorët e Grammy njoftuan se do t’i japin fund të ashtuquajturave “komitete sekrete" që kanë shkaktuar akuza për manipulim dhe korrupsion te çmimet më prestigjioze në industrinë e muzikës.

Recording Academy njoftoi se nominimet për çmimet e radhës, në janar të vitit 2022, do të zgjidhen nga më shumë se 11,000 anëtarët e saj me të drejtë vote në vend të komiteteve të fshehta, të përbërë nga 15-30 anëtarë, emrat e të cilëve nuk u zbuluan. Akademia theksoi në deklaratë se ndryshimet ishin domethënëse dhe u bënë "për të siguruar që rregullat dhe udhëzimet e çmimeve Grammy të jenë transparente dhe të drejta".

Kur nominimet për Grammy 2021 u njoftuan në nëntor, mijëra njerëz mbetën të habitur kur panë se The Weeknd - një nga artistët më të suksesshëm dhe të vlerësuar të vitit të kaluar, kënga e të cilit “Blinding Lights” u bë e para këngë që qëndron në Top10 e Billboard Hot100 për një vit të plotë - nuk ishte nominuar për ndonjë çmim.

"Për shkak të komiteteve të fshehta," tha Weeknd, "Unë nuk do të lejoj më që labeli im të paraqesë muzikën time në Grammy".

Komitetet e fshehta janë anëtarë të bordit që pretendohet se kanë marrëdhënie me artistë të ndryshëm. Sipas akuzave, mendohet se bordi manipulon procesin për të siguruar që këngë ose albume të caktuara të nominohen.

“Grammy-t mbeten të korruptuar. Më detyroheni transparencë mua, fansave të mi dhe industrisë!” u shpreh në Twitter The Weeknd pasi u bë publika lista me këngëtarët e nominuar.

Pas tij, reagoi edhe Drake, i cili jo vetëm që mbështeti publikisht The Weeknd, por në të njëjtën kohë edhe iu kundërvu akademisë.

“Mendoj se duhet të ndalojmë së habituri çdo vit për këtë shkëputje të muzikës me ndikim dhe këtyre çmimeve dhe të pranojmë që ajo çfarë ishte më parë forma më e lartë e njohjes, të mos ketë rëndësi për artistët që ekzistojnë tani dhe ata që do të vijnë më pas. Është pak a shumë si një i afërm për të cilin ti pret që të ndryshojë, por ai nuk rregullohet.”

Nicki Minaj ishte një nga artistet që ripostoi deklaratën e Drake. Kujtojmë se më parë ajo ka ironizuar akademinë.

“Nuk e harroj kurrë që Grammy nuk më dha çmimin e Artistit të Ri më të Mirë kur kisha 7 këngë në të njëjtën kohë të renditura në Billboard, më shumë se çdo repere tjetër femër në dekadën e fundit. Ata ia dhanë një njeriu të bardhë, Bon Iver," shkroi ajo në Twitter.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat