Akuza “të rreme” për ngacmime, aktori Rush padit gazetën

Mediale Vip

Akuza “të rreme” për ngacmime, aktori Rush padit gazetën

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 10:37
Geoffrey Rush

Aktori i famshëm Geoffrey Rush nuk ka ndërmend t’i kalojë dhe aq lehtë akuzat e hedhura ndaj tij për sjellje të pahijshme ndaj një kolegeje.

Për këtë arsye, 66-vjeçari ka vendosur ta hedhë në gjyq gazetën australiane “Daily Telegraph” nën argumentin se, me raportimet e bëra që prej 30 nëntorit i ka shkaktuar një dëm të pariparueshëm reputacionit të tij.

“Është një veprim të cilin po e ndërmarr për të ndrequr shpifjet, aludimet dhe ekzagjerimet e krijuara rreth meje në industrine e argëtimit dhe komunitetin e gjerë”, u shpreh fituesi i çmimit “Oscar”.

Gazeta, sipas tij, i ka përhapur pretendimet e saj të rreme me tituj bombastikë në faqe të parë. Rush ishte shprehur më herët se nuk ishte informuar mbi ekzistencën apo natyrën e ndonjë ankese.

Botuesi i “Daily Telegraph”, Chris Dore këmbëngul se nuk ka bërë asnjë gabim dhe se gazeta do ta mbrojë pozicionin e saj në gjyq.

Geoffrey Rush është njëri prej aktorëve më të vlerësuar të Australisë, i njohur në mbarë botën për interpretimin e tij të jashtëzakonshëm në filma si “Shine”, “Elizabeth” dhe “Fjalimi i mbretit”.

Ai është ndër të paktët njerëz që kanë fituar të ashtuquajturën “Kurorë e aktrimit”; çmimin “Oscar”, “Primetime Emmy Award” dhe “Tony Award”.

Që prej 1988-s është i martuar me aktoren Jane Menelaus, me të cilën ka dy fëmijë, një vajzë e një djalë. Aktorja e shumëvlerësuar Rachel Griffiths i doli në krah kolegut me deklaratën e fortë se, “Geoffrey Rush nuk është Harvey Weinstein”.

Përfshirja e tij në grupet e bamirësisë dhe kontributi i dhënë në zhvillimin e Institutit australian të Filmit i sollën në vitin 2012 çmimin e “Australianit të vitit”, të cilin ia dorëzoi kryeministrja e asaj kohe, Julia Gillard.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat