Mediat e huaja vijnë në Prishtinë për të mbuluar festivalin “Sunny Hill”

Mediale Vip

Mediat e huaja vijnë në Prishtinë për të mbuluar festivalin “Sunny Hill”

Më: 4 gusht 2018 Në ora: 16:12
Dua Lipa, Martin Garrix si dhe Action Bronson

Festivali i parë ndërkombëtar i muzikës – Sunny Hill Festival, i cili do të sjell disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore në Prishtinë, tashmë ka krijuar bujë dhe publicitet të rëndësishëm në mediat kryesore ndërkombëtare, të cilat thonë se Kosova është sërish në hartën botërore, por kësaj radhe me ngjarjen dhe festivalin që në fokus kryesor e ka muzikën.

Menjëherë pas zyrtarizimit të lajmit nga Sunny Hill, mediat botërore sikurse BBC, Metro UK, Fader Magazine, New Musical Express, Capital FM dhe shumë media të huaja kanë raportuar për festivalin, si dhe artistët lokal dhe të huaj që do të performojnë në të. Televizioni amerikan, VICE TV do të bëjë një episodë të tërë për ushqimet shqiptare, bashkë me autorin e saj – reperin Action Bronson.

Në edicionin e parë të tij, Sunny Hill Festival po sjell disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore, përkatësisht yllin e muzikës pop Dua Lipa, DJ-in më të mirë në botë për momentin, Martin Garrix si dhe reperët e famshmëm me origjinë shqiptare, Action Bronson dhe Gashin, i cili tashmë është pjesë e labelit të yllit botëror të hip-hopit, reperit të famshmëm amerikan, Jay Z.

Përfaqësuesit dhe organizatorët e Festivalit kanë thënë madhe se edhe gazeta më e madhe amerikane New York Times ka shprehur interesim për të raportuar për festivalin, bashkë edhe me mediumin më prestigjioz britanik, The Guardian.

Alban Kastrati nga Sunny Hill Festival dhe agjencia e marketingut Republika ka thënë se ata kanë dhënë intervista për mediat e mëdha ndërkombëtare sikurse The Guardian dhe Neë York Times, të cilat poashtu janë akredituar për pjesëmarrje dhe përcjellje të festivalit drejtpërdrejt nga Prishtina.

“Ne kemi kërkesë të jashtëzakonshme nga mediat e huaja për akreditim në festival. Është gjë e mrekullueshme që kaq shumë media janë duke ardhur në Prishtinë, për të raportuar nga afër për kulturën, muzikën dhe talentin lokal por edhe të artistëve të huaj që do të performojnë në Sunny Hill. Shpresojmë që Sunny Hill festival do të kontribuojë që në të ardhmen e afërt, skenës botërore të muzikës t’i shtohen edhe shumë artistë të tjerë shqiptarë”

Kastrati poashtu ka thënë se “vlera e promovimit nga mbulueshmëria mediale që po ia bëjnë vendit tonë mediat e huaja peshon shumë dhe është tejet e madhe dhe shumë e rëndësishme, për të gjithë Kosovën, në përgjithësi. Ky është një qëllim i arritur në tërësi, ende pa ia filluar festivali, dhe natyrisht se ne jemi shumë krenar për këtë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat