Interesim i madh për Sunny Hill, në të ardhmen ftohen Rita dhe Bebe Rexha - Bota Sot
Interesim i madh për Sunny Hill, në të ardhmen ftohen Rita dhe Bebe Rexha

Mediale Vip

Interesim i madh për Sunny Hill, në të ardhmen ftohen Rita dhe Bebe Rexha

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 20:51
Action Bronson

Ndërkohë që tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për Festivalin Sunny Hill, organizatorët kanë bërë të ditur se në edicionin e radhës do të ftohen edhe këngëtarë të tjerë të njohur të skenës botërore si Rita Ora dhe Bebe Rexha.

Festivali i parë ndërkombëtar i muzikës që do të mbahet në Prishtinë më 10,11 dhe 12 gusht, ka krijuar interesim të jashtëzakonshëm tek audiencat nga shtatë kontinente të botës.

Këngëtari Action Bronson, në një konferencë për media, tha se është krenar me origjinën e tij shqiptare, duke pranuar se megjithatë kjo është hera e parë që viziton Kosovën.

Bronson: Kam mësuar shumë

“Absolutisht, 100%. Duke u rritur në një familje me 50 shqiptarë, gjyshërit e mi, babanë, xhaxhain dhe kushërinjtë është si të rritesh me shokët e tu më të mirë. Është një çmenduri, kam mësuar aq shumë, ziheshim tërë kohën, dhe natyrisht kishim ushqimin më të mirë në botë.

Ai ka thënë se shqiptarët kanë një imazh më të mirë se më parë përmes artistëve, punës letrare, pikturave dhe artit.

Bronson: Artistët shqiptarë po krijojnë shumë gjëra  të bukura

 “Është e mrekullueshme. Të gjithë këta artistë shqiptarë po krijojnë shumë gjëra  të bukura dhe që të jemi në gjendje që t’i bëjmë të gjithë së bashku dhe gjithçka të jetë rreth prejardhjes shqiptare është një gjë e bukur”, tha ai.

I pyetur nëse Festivali Sunny Hill ka për qëllim t’i paraqesë botës një imazh ndryshe të Kosovës dhe nëse do të ketë ndonjë projekt në vendin tonë, Action Bronson konfirmoi se do të xhirojë “Fuck, that’s delicious”, një seri amerikane e një dokumentari gastronomik, nikoqir i së cilës është vetë ai.

Ndërsa, Dukagjin Lipa, babai i këngëtares së njohur Dua Lipa, tha se fillimisht ka qenë e përbashkët ideja për të bërë diçka prej vitit 2016 kur është mbajtur koncerti i bamirësisë, me ç’rast ka lindur ideja e formimit të një festivali.

Lipa: Ëndrra ime po bëhet realitet

“Me kënaqësinë më të madhe mund të them se kemi arritur të bëjmë një festival, i cili është më i madhi në Evropën Juglindore, me emra si Dua Lipa, Action Bronson, si Martin Garrix. Jemi ndër festivalet më të mira në Evropën Juglindore, kështu që kjo ëndërr e imja është duke u bërë realitet”, ka thënë ai.

I pyetur nga mediat nëse Rita Ora do të jetë pjesë e festivalit në të ardhmen, ai tha se do të ketë ftesë për të gjithë artistët e njohur shqiptarë.

Lipa: Sunny Hill do të ketë një jetë shumë të gjatë

“Shpresojmë që Sunny Hill festival do të ketë një jetë shumë të gjatë dhe për çdo vjet do të ketë artistë më të mirë shqiptarë dhe të botës, dhe kështu publikisht e them që vitin e ardhshëm do ta ftojmë edhe Ritën, edhe Beben, e he krejt artistët shqiptarë që janë aty dhe na bëjnë krenarë”, ka thënë ai.

Ndërkohë që çmimet e biletave fillojnë prej 40 euro, ose me mesataren ditore prej 13.3 eurove, Lipa tha se ende nuk dihet se cili është numri i saktë i biletave që do të shiten dhe nëse ka ende të lira.

Interesim të jashtëzakonshëm për pjesëmarrje në festival nuk ka pasur vetëm nga fansat e muzikës së Dua Lipës, Action Bronson, Gashit apo Martin Garrix, meqë sipas përfaqësuesve të Sunny Hill Festival, interesim të madh ka pasur edhe nga shumë artistë të huaj të cilët kanë kërkuar që atyre t’i bëhet një vend për të performuar në festivalin e madh të muzikës që do të ndodhë në Prishtinë.

Përveç Dua Lipës, Action Bronson, Martin Garrix, Stanaj dhe Gashit, në Sunny Hill Festival do të performojnë edhe Col3trane, Grace Carter, SG Lewis, Bondax, si dhe artistët më të mirë të skenës si Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Dafina Zeqiri, Gjiko, Lumi B, Buta, Oda, Jericho, Asgjë Sikur Dielli, Genc Salihu, Dren Abazi, Gipsy Groove, Offchestra, Gamblemania, Kachinari, MTNJ, Alban Muja, Oda Haliti, Secret 47, Rrrron, Ylli Megi, Gon & Sonik, Kidda, Art Haliti dhe shumë e shumë emra të tjerë.

Biletat për Sunny Hill Festival mund të blihen online, nga e gjithë bota në www.sunnyhillfestival.com, në Shqipëri në gjitha pikat e Easy Pay, në rrjetin e shitjes Ria / Vllesa Co në gjithë Kosovën, si dhe në pikat fizike të shitjes të festivalit sikurse ajo në sheshin Zahir Pajaziti, në Albi Mall dhe shumë vende tjera publike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...