Ajdari: Arkitektura dhe muzika, mision jetësor dhe shpirtëror

Mediale Vip

Ajdari: Arkitektura dhe muzika, mision jetësor dhe shpirtëror

Nga: Kemajl Goca Më: 30 nëntor 2018 Në ora: 14:45
Flutura Ajdari

Muzika e mirëfilltë është shpirti i një popullit.  Këngëtarja tetovare, Flutura Ajdari, si gjithmonë përpiqet që të krijojë këngë të mirëfillta dhe që janë frymëzim për të gjitha shtresat e gjinitë. Flutura përveç me muzikë është edhe arkitekte e vyeshme dhe ka vizione të mëdha për të ardhmen e saj. Ajo një kohë ka qenë edhe balerinë, por tani tërë energjinë e ka në krijimtarinë e këngës dhe në profesionin e arkitektes. Bukuroshja që nuk ka më shumë se 26 vjeç, flet për muzikën, arkitekturën dhe hallet që e preokupojnë.

 “Bota sot”: Nga ju lindi ideja për të studiuar profesionin e arkitekturës?

Flutura Ajdari: Në shume raste fëmijëria është tregues i rrugëtimit të një individi në jetë dhe në profesion. Unë si fëmijë i kam shprehur shenjat e dashurisë për arkitekturën. Edhe pse në atëkohë nuk e kuptoja se pse mua më tërhiqte të jem afër vendeve ku bëhej ndërtim, me interesonte mënyra e krijimit të materialeve ndërtimore, me bënin përshtypje detajet e interierit të shtëpisë, radhitja e tyre e kështu me radhe. Pastaj nga viti i dytë i gjimnazit isha shumë e vendosur që të studioj për arkitekturë dhe tani jam në fazën master. Së fundmi, e kam sfiduar veten në krijimin dhe formimin e një projekti (makete), të një kompleksi real shqiptar, por makete nga jo të zakonshmet sepse është e punuar e gjitha me materiale reale, si gur, dru, xham, tjegulla) dhe është e madhësisë afërsisht 3.5 metra gjatësi dhe 2 metra gjerësi. Iniciativë dhe punë individuale por akoma se kam prezantuar për publik.

Image

“Bota sot”: Po, për muzikën, kush ju ka shpërfaqur për herë të parë talentin?

Flutura Ajdari: Për herë të parë duke kënduar me kanë dëgjuar familjarët natyrisht dhe kanë bërë përpjekje që të merresha me aktivitete kulturore. Në fakt, përpara se të këndoja jam marrë një kohë jo shumë të gjatë edhe me balet, por pastaj kur u bëra një moshë pak me të madhe jemi takuar me njerëz të fushës së muzikës për të marre mendimet e tyre. Duke qenë në shkollë fillore kam incizuar një këngë për fëmijë dhe kam qenë pjesëmarrëse në televizion dhe aktivitete për fëmijë dhe në qendrën e kulturës në Tetovë. Në vitin 2016 incizova këngën “Vjeshtë e vonuar” me të cilën kam qenë pjesëmarrëse për herë të parë në Këngën Magjike të Ardit Gjebrea në TV Klan në Tiranë, ku kalova fazën e publikimit të këngës në Youtube.

Image

Flutura dhe Ardit Gjebrea

“Bota sot”: Çfarë mendoni për muzikën që kultivohet në ditët e sotme dhe sa e gjeni veten ju aty?

Flutura Ajdari: Të them të drejtën jam pak e rezervuar të flas shumë hapur për llojin e muzikës që kultivohet sot. Në fakt, unë jam tip i njeriut tradicional dhe që kërkoj dhe vlerësoj vlerat e mirëfillta që do të thotë produkte muzikore që qëndrojnë gjatë në skenë dhe sa herë që e dëgjon ke emocion. Sjellja e produkteve dhe zhanreve muzikore që kultivohen vetëm për hir të trendit dhe kohës nuk mbetën gjatë në mendje. Jo çdo gjë që është trend përfaqëson vlerë.


“Bota sot”: Cilat janë shijet e juaja për krijimtarinë muzikore në përgjithësi duke përfshirë zhanret tekstet?

Flutura Ajdari: Unë dëgjoj të gjitha zhanret muzikore përveç të ashtuquajturës “tallava”. Adhuroj në veçanti muzikën klasike, muzikën pop, rrok dhe atë burimore dhe popullore shqiptare. Sa i përket teksteve jam gjithmonë për tekstet me kuptim dhe fabul që përcjellin mesazhe. Në mungesë të një teksti të përshtatshëm nga tekstshkruesit, preferoj poezi nga poete të shquar shqiptare dhe të huaj.

“Bota sot”: Çfarë do të na thoni për gjendjen e arkitekturës në përgjithësi tek ne dhe sa ndikon kjo në mirëqenien e popullatës?

Flutura Ajdari: Shprehja “Nëse do të njohësh një popull, shikoja artin dhe varrezat”, vlen edhe në arkitekturë. Populli shqiptar ka një arkitekturë dhe vepra artizanale të çmuara por që dita ditës rreziku është i madh, e para për harresën dhe e dyta futja e trendeve botërore në mënyrë shumë të shpejtë. Unë mendoj se dallimi i ynë dhe i popujve të zhvilluar është se popujt e zhvilluar ndryshimeve iu kanë dhënë kohë dhe kanë ardhur në përfundim të krijimtarive të reja dhe si rezultat, trendeve të reja; ndërkaq te ne ndodh aplikimi ad-hoc në ndërtim, si një lloj imitimi dhe kjo si dhe shumë faktorë të tjerë të padukshëm krijojnë kaos edhe në krijimtari dhe natyrisht në mirëqenien e popullatës. Unë si arkitekte jam absolutisht pro ecjes me trende botërore, por duke iu dhënë shpjegim të arsyeshëm dhe të logjikshëm veprimeve dhe duke marrë gjithmonë copëza nga kultura jonë e bollshme. 

Image

“Bota sot”: Si është gjendja e qyteteve tona në përgjithësi?

Flutura Ajdari: Qyteti si bashkësi jetësore dhe urbanizmi si term dhe fushe profesionale, mendoj se funksionojnë në një trekëndësh, elementet e të cilit janë shumë të lidhur në mes vete: qytetarët (popullata), institucionet (komuna) dhe profesionistët (arkitektet). Për çdo ndryshim apo prurje në çdo element të qytetit, p.sh: në infrastrukturë, ndërtim   i një objekti të ri në shërbim publik, rifunksionalizimi i ndonjë objekti ekzistent etj. duhet të ketë miratimin e secilit prej anëtarëve të trekëndëshit, natyrisht gjithmonë çdo njëri ta bëjë punën përkatëse dhe të jetë e arsyeshme. Tek ne për fat të keq ky trekëndësh nuk fuksionon në “proporcion të drejtë” në të shumtën e rasteve, pra bëhen gjërat njëanshëm për interesa të ngushta, pa plane afatgjate dhe si rezultat vjen deri të neglizhenca e punës në kohën e caktuar, pakënaqësi të shumta nga të gjitha palët. Tek e fundit rregullimi urbanistik është shpirti i qytetit që ngërthen edukatën, mënyrën e jetesës, qytetërimi në aspekt kulturor, arsimor dhe institucional.

“Bota sot”: Çfarë të tërheq më shumë në profesionin e arkitekturës?

Flutura Ajdari: Po, tani kjo pyetje është njësoj sikur e pyet një prind cilin fëmijë e don më shumë. Unë i dua të gjitha format e krijimtarisë duke patur parasysh se arkitektura nuk kufizohet vetëm me ndërtim të objekteve por ka kuptim me të gjerë dhe ka relacione shumë të ngushta edhe me artet tjera në përgjithësi. Megjithatë mua me pëlqejnë në veçanti interiorët, dekorimet me detaje, me ngjyrat, të organizuara mirë dhe mundësisht multifunksionale. Pika ime e dobët në interior është ndriçimi, dritat.

“Bota sot”: Sa është e lehtë që një arkitekt të gjendet në treg në ambientin tonë?

Flutura Ajdari: Mendoj se nuk është edhe shumë e lehtë, por gjendet. Tani varet nga pritshmëritë profesionale dhe financiare që ka arkitekti në jetë.

“Bota sot”: Cila është lidhja e arkitekturës me muzikën?

Flutura Ajdari: Siç e ceka më lartë arkitektura ka lidhje shumë të ngushtë me artet e tjera, jo vetëm me muzikën por edhe pikturën, teatrin (skenografi, detaje, tekstura, skulptura), filmin, fotografinë etj. Gjithmonë çdo krijimtari artistike duhet t’i ngjajë kohës dhe t’i “qortojë” apo të ve në pah dukuritë negative të kohës dhe t’i luftojë me sa forcë që ka. Tek e fundit ky është edhe misioni i artit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat