Balada të jep mundësi të krijosh një mini film, nëse do të bësh art

Mediale Vip

Balada të jep mundësi të krijosh një mini film, nëse do të bësh art

Nga: Albulenë Muji Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 14:37
Hysni Zeqiri

Këngëtari i njohur Hysni Zeqiri, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur për karrierën e tij në muzikë edhe në fushën e aktrimit. Në detaje ka folur edhe për lansimin e këngës së tij më të re së bashku me video klipin. Po ashtu, ai ka folur edhe për sfidat me të cilat përballet ai si një këngëtar i mirëfilltë me muzikën dhe këngëtarët të cilët merren më komercializëm.

“Bota sot”: Fillimisht urime për këngën “Të pres” dhe realizimin e videoklipit, cilat janë përshtypjet e publikut për këtë projekt?

Hysni Zeqiri : Nga ato sa kam pas mundësi të dëgjoj dhe nga mesazhet që kam marr, vlerësimet kanë qenë të mira.

“Bota sot”: Si erdhi deri te ideja për realizimin e kësaj kënge?

Hysni Zeqiri: Pas shumë bisedimeve me Ilir Tolajn, autorin e këngës, vendosëm që të sjellim një baladë, kërkesa ime ishte që mos të jetë baladë nga të zakonshmet dhe për këtë pjesë Iliri njihet si mjeshtër.

“Bota sot”: Sa jeni ndarë të kënaqur me punën e bashkëpunëtorëve me të cilët e keni realizuar projektin?

Hysni Zeqiri: Në këtë këngë janë të gjithë miq të vjetër, bashkëpunëtor prej vitesh, ata i njohin kërkesat e mia dhe sa më shumë që punonim aq më shumë lidheshim me këngën dhe donim edhe më shumë përkushtim. Mendoj që jo vetëm autorët e këngës, pra Ilir Tolaj në këngë e Ilir Maçastena në tekst, por edhe Berati ka bë një punë të jashtëzakonshme në video, gjë që u vlerësua edhe nga publiku.

“Bota sot”: Ku i keni realizuar xhirimet e videoklipit?

Hysni Zeqiri: Xhirimet janë realizuar në Zvicër!

“Bota sot”: Përse zgjodhët këtë vend?

Hysni Zeqiri: Ishte kërkesë e imja që të xhirojmë në Zvicër, doja vende të përshtatshme për idenë që kishim, besoj që kemi arrit të nxjerrim më të bukurën.

“Bota sot”: Përse zgjodhe që ta realizosh klipin në këtë formë, ku i vetmi personazh i fabulës je ti?

Hysni Zeqiri: Unë nuk kënaqem me gjëra shkel e shko. Gjëja e parë është tregimi, doja që kjo këngë të ketë një tregim në vete, nuk e shihja një femër pjesë të këtij skenari ku personazhi kryesor e luan pritjen. Duhet ta mësojmë publikun ta shoh videon si art e jo si reklamë ku femrat tregojnë linja e fustane. Balada të jep këtë mundësi të krijosh një mini film, nëse do të bësh art.

“Bota sot”: A keni ndonjë plan tjetër për këtë vit apo do ta përmbyllni vetëm me baladën “Të pres”?

Hysni Zeqiri: Ky vit ishte me plot punë, sollëm 3 këngë dhe me „Te pres“ u përmbyll.

“Bota sot”: Njiheni si këngëtar që lufton për ruajtjen e vlerave artistike në përgjithësi, sa është e vështirë kjo në një ambient të përfshirë nga komercializmi?

Hysni Zeqiri: Realisht është goxha e vështirë, për fatin e keq janë shumë faktor që kanë sjell këtë gjendje, po më së paku fajtor është dëgjuesi. Po e marr si shembull projektin tim të fundit, ku nga njerëzit e artit është vlerësuar shumë lart, po nga shumë njerëz të mediave nuk i është dhënë hapësirë as të promovohet, kjo si pasoj e shumë analfabeteve të vendosur në ato pozita, e që falë tyre publikut i ofrohet më shumë antivlera, u ofrohet banalitet, u ofrohen lajme të llojllojshme, dikush duke qenë pjesë e klaneve të tyre, dikush duke paguar hapësirën me para.

Gjithsesi faleminderit atyre pak gazetarëve që me mish e me shpirt mundohen të mbrojnë të mirën dhe bëjnë punën e tyre me shumë nder.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen në artin dhe kulturën shqiptare aktualisht?

Hysni Zeqiri: Është një lëmsh edhe pse ka njerëz që punojnë gjëra të mira, shumica e ka mundur këtë pakicën që duan art, kjo shihet më së miri me top listat e serialet që janë shumë aktual, e që janë çdo gjë pos art e vlerë s'ka në to.

“Bota sot”: A ke menduar t`i kthehesh pjesëmarrjes në festivale?

Hysni Zeqiri: Tani për tani jo, nuk ka festivale, janë më shumë koncerte, një formë e mirë biznesi për organizator. Një festival që ka mbi 5 këngë nga një autor, aty nuk mbetet vend për garë është thjesht një hapësirë e mirë për promovim këngësh.

“Bota sot”: Ju jeni edhe aktor, keni menduar të hyni edhe në botën e aktrimit dhe filmit?

Hysni Zeqiri: Aktrimi është më vështirë, duhet ndjek audicionet, duhet më shumë kohë për arsye se është punë në ekip, pra është më e vështirë për me u marr me aktrim, por që një ditë do jem sigurt në aktrim më i përkushtuar.

“Bota sot”: Të kalojmë pak tek jeta personale, kënd po e pret Hysi?

Hysni Zeqiri: Po pres me u bë mirë, në shumë gjëra.

“Bota sot”: Çfarë planesh ke për të ardhmen?

Hysni Zeqiri: Për vitin që vjen kam disa plane, pra punët  veç kanë filluar, njëherë duhen ide se çka do sjellim e si do duhet të jenë, po ka edhe diçka që do jetë shumë e veçantë, nëse nuk e realizoj ashtu si duhet s'do e publikoj, pra është më shumë se veç thjesht një këngë, shpresoj të bëhet!

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat