Bashkimi i Mitrovicës – projekt i realizueshëm apo marketing politik?

Mitrovica

Bashkimi i Mitrovicës – projekt i realizueshëm apo marketing politik?

Më: 25 janar 2019 Në ora: 14:22
Mitrovica e Veriut

Javën e kaluar, i pari i Mitrovicës, Agim Bahtiri i ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit peticionin për bashkimin e qytetit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pranuar nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, peticionin e qytetarëve të Mitrovicës për bashkimin e qytetit në një komunë.

Mirëpo, bashkimi i këtij qyteti nuk mund të bëhet pa votat e minoriteteve. Në Kushtetutën e Kosovës thuhet se ndryshimi i kufijve komunale është legjislacion me interes vital i cili kërkon edhe shumicën e votës së deputetëve të komuniteve pakicë.

Njëjtë mendon edhe njohësi i çështjeve juridike, Riza Smaka. Në një prononcim ai ka thënë se ky projekt është më shumë marketing politik sesa i realizueshëm.

“Nisma e kryetarit të Mitrovicës si qëllim është e mirë mirëpo është edhe utopiste. Disa po e quajnë  gabimisht pako e Ahtisarit. Ajo ka qenë e përcaktuar asisoj, dhe Mitrovica konsiston në dy komuna të cilat mund të bashkohen vetëm përmes një trupi koordinues. Konsideroj që ma tepër është për marketing politik sesa për realizim të kësaj nisme”, është shprehur Smaka.

Ai ka theksuar se para se t’i hyjnë kësaj pune duhet të studiohet fare mirë.

“Unë gjykoj se ne duhet të merremi me punë serioze, e para se t’i hyjmë punës duhet ta studiojmë fare mirë, gjithanshëm dhe me seriozitet e më pastaj të bëjmë projekt racional dhe të shkojmë deri në pikën e fundit të realizimit por jo edhe nëpërmjet mediave me bo deklarata pompoze etj., të tipit utopist”, ka thënë ai.

Sipas tij, tjetër është dëshira për realizimin e kësaj çështje e tjetër ajo çka mund të bëhet.

“Kjo çështje është kësi soji dhe do të përfundoj mjerisht, tjetër është dëshira por ajo nuk mund të bëhet. Unë kam qenë deputet atë kohë dhe kam pasur kritika për pakon e Ahtisarit, ajo ka pasur defekte juridike dhe politike mirëpo është pranuar si e tillë. Për realizim duhet të bëjmë modifikim të ligjit dhe pastaj realizim. Me fushatë nuk mund të bëhet asgjë. Është ide e parealizueshme”, ka përfunduar Smaka.

Ndërkohë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se e përkrah peticionin e qytetarëve të Mitrovicës. Thaçi ka theksuar se bashkimi i këtij qyteti është proces i pandalshëm dhe tani e kanë radhën të veprojnë institucionet; Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca.

Agim Bahtiri ka thënë se për këtë peticion janë dhënë mbi 16 mijë nënshkrime duke shtuar se ka edhe persona të komunitetit serb që e kanë nënshkruar. Ai ka shtuar se beson që të gjithë deputetët e Kosovës do ta votojnë këtë peticion.

Ndërsa, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se serbët nuk do ta lejojnë bashkimin e Mitrovicës Veriore dhe Jugore.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat