OJQ “Mundësia” dhe drejtori i DKA, Mitrovicë Iset Beka diskutuan për bashkëpunimin në realizimin e projektit  “Promovimi i shkollave tolerante dhe pa dhunë”

Mitrovica

OJQ “Mundësia” dhe drejtori i DKA, Mitrovicë Iset Beka diskutuan për bashkëpunimin në realizimin e projektit  “Promovimi i shkollave tolerante dhe pa dhunë”

Nga: F. B. Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 10:14
OJQ “Mundësia” dhe drejtori i DKA

Në lokalet e OJQ “Mundësia” ka qëndruar drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit Iset Beka, ku është pritur nga drejtoresha e shoqatës Hasime Tahiri-Hasani, menaxherja e projekteve Florentina Hajdari dhe zyrtarja për financa Aferdita Tahiri.

Gjatë takimit drejtori Beka, është njoftuar me ecurinë e aktiviteteve që zhvillon shoqata “Mundësia” në periudhën e gjatë mbi 15 vjeçare të ekzistimit, fokusit në ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe rritjes së rolit të gruas dhe projektet e shumta që ka realizuar edhe realizon në mirëqenien dhe zhvillimin e shoqërisë sonë.

“Shoqata ‘Mundësia’ që nga themelimi në fokus të angazhimit dhe aktiviteteve të saj kishte mbështetjen e femrës në përgjithësi dhe rritjen e rolit të saj në shoqëri, përfshirë vendimmarrjen, rritjen e pavarësisë së saj ekonomike sikurse edhe projekte që kanë të bëjnë me gjeneratat e reja, rininë shkollore dhe fëmijët” ka thënë drejtoresha Tahiri-Hasani.

Drejtoresha ka njoftuar zyrtarin komunal për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe projektin të cilin po e realizon “Mundësia” që mbështetet nga Qeveria e Kosovës – përkatësisht nga Koordinatori Nacional për Rini Kulturë dhe Sport,  “Promovimi i shkollave tolerante dhe pa dhunë”,  ku janë përfshirë nxënës të shkollave të mesme të qytetit të Mitrovicës.

“Objektivi i përgjithshëm i këtij projekt propozimi është:  “Nxitja e dijës dhe kreativitetit të mendimit kritik ndër të rinjtë e Kosovës dhe Zhvillimi i gjithëmbarshëm dhe mbështetja ndaj Programit Nacional për Rininë” ka thënë drejtoresha e shoqatës Hasime Tahiri-Hasani duke shtuar se  objektivi specifik i këtij projekt propozimi është: “Promovimi dhe krijimi i shkollave mbi vlerat e tolerancës dhe mos diskriminimit dhe parandalimin e dhunës me bazë rinore”.

Në takim është biseduar edhe për organizimin e një tryeze diskutimi  që ka të bëjë me mekanizmat e parandalimit dhe mbrojtjes së fëmijëve nga çdo lloj abuzimi, sikurse edhe për mundësinë e përkrahjes së vajzave të viseve rurale të cilat nuk mund të vazhdojnë shkollimin ose për shkaqe të ndryshme braktisin atë.

Shoqata “Mundësia” ka ndihmuar edhe në të kaluarën vajzat nga zonat e thella rurale, që kanë pasur vështirësi në vazhdimin e shkollës edhe ishin kandidate potenciale për braktisje, sikurse edhe tani që po angazhohet në gjetjen e fondeve me të cilat do ndihmoheshin ato dhe do të parandalonin braktisjen e shkollës.

Ndërsa drejtori I DKA ka shprehur mirënjohje për punë e vazhdueshme të shoqatës “Mundësia, për bashkëpunimin  e mirë, ndërkohë që ka shprehur gatishmëri që të mbështes secilin projekt të shoqatës, përfshirë edhe projektin për mbështetjen e rasteve të vajzave që për mungesë të kushteve mund të braktisin shkollimin.

“Ne do mbështesim secilin projekt që ka të bëjë me rritjen e cilësisë dhe sigurisë në shkollave, përfshirë edhe aktivitetet , tryezat dhe debatet për shkolla pa dhunë, pasi mbarëvajtja në shkolla dhe ngritja e cilësisë së arsimit kanë prioritet për vendin tonë” ka thënë drejtori i DKA Iset Beka.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat