Funksionalizohet Qendra e Mjekësisë Familjare në lagjen Bair

Mitrovica

Funksionalizohet Qendra e Mjekësisë Familjare në lagjen Bair

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 16:04
Agim Bahtiri

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga  drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani, kanë pritur në takim Dr.Qamile Ramadani, drejtoreshë e  Accessible Quality Healthcare (AQH) dhe Dr. Bajram Maxhuni,  të cilët ndihmuan në funksionalizimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen Bair, me inventar dhe pajisje të tjera të nevojshme.

Gjatë takimit kryetari Bahtiri ka falënderuar të pranishmit për mbështetjen e tyre të dhënë në funksionalizimin e QMF-së në Bair, ndërtimin e së cilës e ka  financuar Ministria e Shëndetësisë, me qëllim që të ofroj shërbime shëndetësore për banorët e kësaj lagje. 

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe përfaqësuesit  e Accessible Quality Healthcare (AQH),  pas bisedës në hapësirat e Komunës, vizituan QMF në Bair, ku vlerësuan se tashmë kjo qendër është e gatshme që të ofroj shërbimet e nevojshme shëndetësore për banorët e atyshëm.

 “Me vënien në funksion të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Bair, po bëhet edhe një hap tjetër drejt ofrimit të shërbimeve shëndetësorë  për qytetarët në lagjet ku ata jetojnë. Ne jemi të përkushtuar që qytetarët të  marrin shërbime sa më të afërta dhe sa më të mira të mundshme. Unë jam duke punuar në drejtim që edhe në zona të tjera ku është e nevojshme të fillojmë me rritjen e kapaciteteve shëndetësore, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira shëndetësore”, tha kryetari Bahtiri.

Ai me këtë rast falënderoi përfaqësuesit e Accessible Quality Healthcare (AQH), Dr Qamile Ramadani dhe Bajram Maxhuni, për ndihmën që kanë dhënë në funksionalizimin e kësaj qendre mjekësore. 

Edhe drejtoresha e  Shëndetësisë në komunë, Erseka Hasanaj Barani,  e ka përshëndetur vënien në funksion të QMF-së në Bair. Ajo tha se kjo është një ndihmë e madhe për banorët e Bair-it, të cilët  ofrimin e shërbimeve shëndetësore do të kenë shumë më afër se sa më parë. Për banorët e kësaj ane kjo do të thotë  shumë”, tha ajo.

Ndërsa, drejtori i QKMF-së, Fevzi Sylejmani, tha se në këtë QMF do të kryhen shërbimet e zakonshme shëndetësore, si shërbimet e vaksinimit, stomatologjisë etj, si dhe do të ketë laborator të analizave dhe shërbime të tjera të nevojshme.

Përfaqësuesja e Accessible Quality Healthcare (AQH), Dr Qamile Ramadani, tha se ndjehet e lumtur që organizata që ajo përfaqëson ka ndihmuar në funksionalizimin e kësaj qendre mjekësore, e cilat do të thotë shumë për banorët e lagjes, pasi që ata më nuk do të kenë nevojë që të udhëtojnë për në qendrat tjera mjekësore për të kërkuar këto shërbime. Ajo tha se objekti është modern dhe se i plotëson në tërësi kushtet për ofrimin e këtyre shërbimeve.

Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat